Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në arrest, ka reaguar mbi polemikat e sotme me prokurorin Olsi Dado dhe reagimet e SPAK-ut dhe GJKKO-së mbi transkriptimin e audios në sallën e gjyqit.
Veliaj e cilësoi çështjen e tij gjyqësore si një “farsë të rrezikshme” dhe një “montim të shëmtuar”.
“Prej dy javësh jam i mbyllur në qeli pa gjyq dhe i dënuar që në faqen e parë të një dosjeje,” deklaron Veliaj, duke pretenduar se po përballet me kushte të pabarabarta për të mbrojtur të vërtetën e tij.
Në reagimin e tij, ai sërish thotë se prokurori i çështjes, Olsi Dado, e ka “fyer, sulmuar dhe kërcënuar” në sallën e gjyqit. “Fjalët e prokurorit janë të regjistruara dhe mund të bëhen transparente për publikun,” thekson Veliaj, duke e cilësuar seancën si një “kasaphanë të përgatitur për ta ‘vrarë’ politikisht”.
Kryebashkiaku i arrestuar ka ftuar gjykatën të publikojë audion e seancës, në mënyrë që qytetarët të gjykojnë vetë mbi atë që ka ndodhur. “Do të vijoj të çmontoj këtë dosje të stisur kundër meje, çdo ditë, pak nga pak,” përfundon ai.
Postimi i plotë:
Siç e dini, prej dy javësh unë ndodhem i mbyllur në qeli pa gjyq dhe i dënuar që në faqen e parë të një dosjeje, të cilën po e faktoj çdo ditë se është një montim i shëmtuar dhe farsë e rrezikshme.
Por, gjithashtu, ndodhem në kushte të pabarabarta për të thënë të vërtetën time, atë të vërtetë të cilën do ta mbroj deri në fund dhe do të vazhdoj ta them së paku këtu, në rrjetet e mia sociale, si e vetmja mënyrë për të komunikuar me qytetarët e Tiranës dhe gjithë publikun.
Po! E them dhe e përsëris, në atë sallë gjyqi unë jam fyer, sulmuar e kërcënuar nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun. Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht dhe kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky …ndyrësirë”.
Për të qenë të vërtetë deri në fund, ftoj gjykatën të publikojë audion e asaj seance të shëmtuar dhe pastaj qytetarët ta vendosin vetë se kush ka të drejtë.
Ama, unë do të vijoj të çmontoj atë dosje të stisur kundër meje çdo ditë, pak nga pak, siç kam bërë deri më sot.