Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, një parti e ekstremit të djathtë ka dalë e dyta në zgjedhjet kombëtare gjermane, një rezultat që do e mbajë atë jashtë qeverisë, por do e bëjë një kundërshtar të frikshëm të partive në pushtet.
Alternativa për Gjermaninë, që është shndërruar që kur u themelua në vitin 2013 nga një parti e ekonomistëve liridashës në një parti antiemigracion, parashikohet të ketë fituar mbështetjen e një në pesë gjermanëve, shkruan Reuters.
AfD ka pak mundësi për t’u bashkuar me qeverinë pasi partitë e tjera kanë vendosur një “mur mbrojtës” për ta mbajtur atë jashtë, por udhëheqësja Alice Weidel la të kuptohej në fjalimin e saj të fitores se ishte vetëm çështje kohe përpara se kjo të ndryshonte.
“Dora jonë mbetet e shtrirë për të formuar një qeveri,” u tha ajo mbështetësve, duke shtuar se do ishte “mashtrim i gjermanëve” nëse konservatorët e CDU-së do zgjidhnin të qeverisin me partitë e majta në vend të tyre.
Nëse kjo ndodhi, ajo tha, “herën tjetër do dalim të parët”.
Weidel, udhëheqësja e AfD-së që predikon vlerat tradicionale të familjes ndërsa rrit fëmijët e saj me një grua me prejardhje nga Sri Lanka, tha se partia e saj tani ishte “një parti kryesore”.
Dikur e izoluar ndërkombëtarisht, ajo tani ka një aleat në Shtëpinë e Bardhë, ku këshilltari i Donald Trump, Elon Musk, personi më i pasur në botë, poston rregullisht mbështetje për të.