Kryeministri Rama ka ironizuar kreun e grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi lidhur me gjyqin për shpifje që ka çelur ndaj tij.
Rama e ka paditur Bardhin duke i kërkuar të sjellë prova mbi deklaratat e demokratit se kryeministri ka hequr emrin e të vëllait nga dosja hetimore për laboratorin e kokainës në Xibrakë të Elbasanit.
Ai shkruan në X se padia në SPAK ka të bëjë me akuzat e Bardhit ndaj tij si kryeministër. Ndërkohë avokatët e Bardhit, sipas Ramës, kanë thënë në seancë se ai ka shrehur fakte të njohura publike.
“Një mesazh nga koordinatori juridik i shumë gjyqeve me kënetën. Lexojeni pak:
“Sot kishim gjyqin për shpifje me Gaz Bardhin. Avokatët e tij kanë këmbëngulur që të mos merren parasysh vendimet e penales, sepse medemek ato që ka thënë Bardhi janë fakte të njohura publikisht dhe ai thjesht i ka përsëritur. Plus në parashtrime thoshin Ols Rama ashtu, e Ols Rama kështu. Avokati ynë ua ka bërë të qartë që padia është e Edi Ramës dhe bëhet fjalë për deklaratat e Bardhit për kryeministrin, që ka fshirë emrin e vëllait nga dosja me prokurorë, që pastaj i ka promovuar etj etj… Pra gjyqi është me Edi Ramën dhe për shpifjet ndaj Edi Ramës, prandaj ata duhet të sjellin prova që të vërtetojnë thëniet e Bardhit. Po natyrisht ata prova s’kanë dhe spërdridhen duke shtyrë seancat me llafe boshe. Ju informoj për seancën tjetër”. Eh Babale Babale, spërdridhu spërdridhu…”. – shkruan Rama në X.