Kryeministri Edi Rama njoftoi se nesër në orën 09:00, Grupi Parlamentar i PS do të dëgjojë rektorin Fatbardh Sallaku, i cili nuk është i përfshirë në hetim.
Rama u shpreh se Sallaku e cilëson çështjen një keqkuptim të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment kyç për transformimin e universitetit.
Gjykata e Posaçme ka vendosur 24 masa sigurie për punonjës të Universitetit Bujqësor të Kamzës, pas një hetimi të SPAK-ut për procedura të disa viteve më parë.
“Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë.
Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë2030.”