Në Kurbin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, me mbështetje të Forcës “Shqiponja”, kanë finalizuar operacionin “Hideout”.
Policia vu në pranga një 46 dhe një 52- vjeçar.
Në banesën e 46-vjeçarit u gjetën 9.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe një armë gjahu pa leje, ndërsa në shtëpinë e 52- vjeçarit u gjetën armë zjarri dhe municion pa leje.
Njoftimi i Policisë:
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe me Komisariatin e Policisë Kurbin, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Hideout”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. F., 46 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në fshatin Skuraj, Kurbin, u gjetën 9 kilogramë e 810 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 1 armë gjahu, që ky shtetas e posedonte pa leje;
L. F., 52 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në fshatin në fshatin Skuraj, Kurbin, u gjetën 1 armë zjarri pushkë, 85 kapsolla detonatore, 1 armë gjahu dhe një sasi municioni luftarak, të cilat ky shtetas i posedonte pa leje.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre dy shtetasve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme”.