Kremlini ka deklaruar se nuk ka asgjë për të shtuar mbi qëndrimin e Ministrisë së Jashtme ruse për mospranueshmërinë e trupave paqeruajtëse të NATO-s në Ukrainë.
Gjatë një konference për mediat, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte thënë se Rusia do të pranonte trupa paqeruajtëse europiane në Ukrainë, përcjell The Guardian.
Në takimin e përbashkët me presidentin francez Emmanuel Macron, Trump deklaroi se kishte diskutuar me Vladimir Putinin mbi mundësinë e vendosjes së trupave paqeruajtëse të NATO-s në Ukrainë dhe se presidenti rus i kishte thënë se “nuk ka problem me këtë.”
Megjithatë, javën e kaluar, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se vendosja e trupave të NATO-s nën një flamur tjetër – “qoftë nën flamurin e Bashkimit Europian apo nën flamuj kombëtarë” – do të ishte e “papranueshme” për Rusinë.
Deklaratat e Peskovit këtë mëngjes sugjerojnë se ky qëndrim mbetet i pandryshuar, përkundër asaj që ka pohuar Trump.