Policia e Tiranës, në bashkëpunim me SPAK, finalizoi operacionin “Fraud”, duke sekuestruar pasuri me vlerë rreth 1.2 milionë euro të shtetasit E. K., 42 vjeç, i dyshuar për mashtrim kompjuterik në bursa.
Në bazë të vendimit të GjKKO-së, u sekuestruan një apartament, dy vendparkime dhe një subjekt tregtar, të dyshuara si të ardhura nga veprimtari kriminale.
Njoftimi:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fraud”, për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga krimi.
Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë, në drejtimin e SPAK.
Sekuestrohen 4 pasuri të paluajtshme, me vlerë rreth 1 200 000 euro, të një shtetasi me precedent për mashtrim kompjuterik në bursa.
Në vijim të punës gjurmuese dhe hetimore, për konstatimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Fraud”, në kuadër të të cilit u ekzekutua vendimi i GjKKO-së, për sekuestrimin e 4 pasurive të shtetasit E. K., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Konkretisht, u vendos sekuestro mbi 1 aparament, 2 vendparkime për automjete dhe 1 subjekt tregtar, pasuri të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 42-vjeçarit, në fushën e mashtrimit kompjuterik, në bursa.
Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.