Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka njoftuar një rritje të ndjeshme të shpenzimeve për mbrojtjen, duke i çuar ato në 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2027.
Kjo lëvizje do të financohet pjesërisht përmes shkurtimit të ndjeshëm të buxhetit për ndihmat ndërkombëtare, nga 0.5% në 0.3% të të ardhurave kombëtare, përcjell The Guardian.
Në një deklaratë para Parlamentit, Starmer tha se ky hap është i nevojshëm për të forcuar sigurinë evropiane dhe për të përballuar sfidat globale të mbrojtjes.
Ai e cilësoi këtë si “rritjen më të madhe të qëndrueshme të shpenzimeve për mbrojtjen që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.
Ndërkohë, vendimi për të ulur ndihmat ndërkombëtare është pritur me reagime të ashpra nga organizatat humanitare dhe personalitete politike.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, David Miliband, e quajti këtë një vendim “shkatërrues” për ndihmat ndërkombëtare, ndërsa organizata humanitare Save the Children e cilësoi si një “tradhti ndaj fëmijëve më të cenueshëm në botë”.
Njoftimi i Starmer vjen disa ditë para një takimi të rëndësishëm me Presidentin Donald Trump në Uashington, duke i dhënë atij një bazë të fortë për diskutime mbi mbrojtjen. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se Trump mund ta shohë këtë rritje si të pamjaftueshme, pasi ai ka kërkuar më shumë angazhim financiar nga aleatët e NATO-s.
Në përgjigje të kritikave, Starmer ka theksuar se synon të rikthehet në të ardhmen tek nivelet më të larta të ndihmave ndërkombëtare, por nuk ka dhënë një afat të qartë për këtë.