I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka dhënë dëshmi në GJKKO per krimet e kryera nga ai dhe banda e Erion Alibejt. Ai ka treguar se pas masakrës së Bradasheshit, banda planifikoi vrasje në Elbasan kundër rivalëve, duke synuar këdo që i dilte përpara.
Dumani akuzoi Altin Ndocin për një atentat të dështuar ndaj vëllait të tij dhe pranoi se planifikoi eliminimin e Talo Çelës, por nuk donte ta kryente vetë vrasjen. Ai zbuloi se Dorian Shkoza e përgjonte me makina të ndryshme para se të ekzekutohej.
Pjesën nga dëshmia e Nuredin Dumanit
Avokati Qani Hasa: Në cilin moment vendosët të hakmerreshit drejt vrasësve të vëllait të Alibeaj?
Nuredin Dumani: Pas konfliktit që pata me Talo Çelën dhe Altin Ndocin doja të vriteshin ata, por jo nga dora jonë. Kjo më interesonte, pasi Altin Ndoci deshi të vrasë vëllanë tim, por ju bllokua arma. Unë doja ta ndihmoja të shkonin ata, jo t’i vrisja unë. Pasi u takuam vendosa ta ndihmoja.
Qani Hasa: Kur u bë kjo bisedë?
Nuredin Dumani: Pasi qëndruam 2-3 orë. Që herën e parë.
Hasa: Keni thënë që hartuat një listë?
Dumani: Pasi mësova që Alibeaj po hetonte për Talo Çelën dhe pata një bisedë me Fatmit Troplinin vendosëm që do godisnim ne të Durrësit. Unë kisha parë lëvizjet e Dorian Shkozës. E shikoja që më vinte pas me makina të ndryshme.
Franc e Hajdar Çopja nuk ishin aty. Kel Kamami nuk ishte aty.
Hasa: Keni traguar dhe për vrasjet e Emiliano Ramazanit dhe Rigers Runajt? Kur e vendosët?
Dumani: Ishte verë 2020. Ishin shumë emra për t’u vrarë në Elbasan. Nuk kishim radhë, por kush të dilte para do eleminohej. Emiliano Ramazani u bë i pari.
Në Elbasan unë informacion merrja veç nga Elio Bitri. Emiliano Ramazani shkonte në një palestër në Elbasan. Kishim informacion të brendshëm nga aty. Alibejt i vinin foto herë pas here edhe për Bujar Çelën dhe Emiliano Ramazanin.
Në seancë pati përballje mes Dumanit dhe të pandehurit Xhulian Hoxha, i cili mohoi të ketë shërbyer për grupin Çapja.
Dumani tha se informacionin e kishte marrë nga Erion dhe Suel Çela. Procesi në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” vijon në GJKKO.
Pjesë nga dëshmia:
I pandehuri Xhulian Hoxha: Më herët Dumani ka thënë që unë i kam shërbyer grupit Capja. Kujt i kam shërbyer unë.
Dumani: Emër nuk di.
Hoxha: Po ku e di ti.
Dumani: Në fillim më ka thënë Erioni. Por më vonë më ka thënë edhe Suel Çela. Ai kishte një dokument, deklarim, që sipas tij i kishte shërbyer Çapjave.
Hoxha: Ti më ke parë vetë me sytë e tu?
Dumani: Jo, unë vetë jo. Nuk të kam takuar ndonjëherë. Çfarë më ka thënë Erioni dhe Sueli.
Hoxha: A jemi parë ndonjëherë?
Dumani: Po, jemi shkëmbyer tek pallati.
Hoxha: Ku i kisha kamerat tek shtëpia?
Dumani: Tek dera e shtëpisë tënde kishte kamera.
Hoxha: Më ka parë me sytë e tij të marr lekë nga Alibeaj?
Dumani: Unë vete jo, por diskutoja me Alibeajn.