Gazetari Carlo Bollino deklaroi pas seancës gjyqësore në Tiranë se refuzon çdo pajtim me Jamarbër Malltezin dhe Belind Këlliçin, të cilët i ka paditur për fyerje dhe shpifje. Ai theksoi se akuzat ndaj tij për përvetësim toke janë të pavërteta, pasi trualli ku ndodhet Report TV është marrë me qira nga shteti në mënyrë ligjore.
Seanca u shty për shkak të mungesës së Malltezit, i cili ndodhet në arrest shtëpie dhe nuk u paraqit, pavarësisht se kishte autorizim nga SPAK. Bollino akuzoi Këlliçin për vijimin e shpifjeve edhe pas nisjes së procesit dhe e konsideroi këtë një sulm ndaj gazetarisë së lirë.
“Sot, përpara gjyqtares, refuzova zyrtarisht çdo pajtim me Jamarbër Malltezin dhe Belind Këlliçin pasi u kam bërë një kallëzim penal për fyerje dhe shpifje. Në këtë pikë, procesi do të vazhdojë me praninë në sallë edhe të një prokurori. Ajo që kërkoj është vetëm pak drejtësi.”
“Ata më shpifin prej më shumë se një viti, duke pretenduar se kam vjedhur një tokë në pronësi të tyre, mbi të cilën më pas kam ndërtuar, me shpenzimet e mia, Report TV. Ndërkohë, e vërteta është se unë kam marrë me qira një tokë nga shteti nëpërmjet një procedure plotësisht ligjore, si shumë botues të tjerë, dhe ndërtesa, megjithëse e kam ndërtuar vetë, nuk është në pronësinë time, pasi trualli i përket shtetit. Tani pres që gjykata të sqarojë të vërtetën.
Shpifjet dhe fyerjet, veçanërisht nga Belind Këlliçi, kanë vazhduar edhe pas nisjes së procesit. Madje, në fund të çdo seance, ai përsërit të njëjtat gënjeshtra përpara kamerave, duke më quajtur edhe hajdut, epitete për të cilat unë kërkoj që ai të dënohet bashkë me Jamarbër Malltezin.
Gjithashtu, është qesharake që Këlliçi më sfidon të marr pjesë në seancë, sikur të ishte ai që më ka paditur mua. Në të vërtetë, ai bën sikur nuk e kupton që ai dhe Malltezi janë të akuzuar, ndërsa unë jam pala e dëmtuar dhe akuzuese. Një përmbysje totale e realitetit, që në fakt reflektohet shpesh në shumë nga deklaratat e tyre politike. Është e qartë se ata më sulmojnë sepse jam një gazetar i lirë, që nuk pranoj të bëhem zëdhënës i Partisë Demokratike dhe i Sali Berishës. Por kjo nuk mund t’u japë atyre të drejtën të më shpifin. Pikërisht për këtë arsye i kam paditur në gjykatë”, përfundon Carlo Bollino.