Investimi për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë në një nga zonat turistike në vend, Alpet e Shqipërisë pritet të bëhet përmes një kontrate me verë 2.2 milionë euro.
Së fundmi në sistemin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u njoftua fituesi i kontratës me objekt “Rrjeti i ri i shpërndarjes për të rritur aksesin në energji elektrike në Alpet Shqiptare” ku rezulton bashkimi i shoqërive Enbi Power shpk & ACI Engineering shpk.
Autoriteti nënkontraktor për këtë projekt është Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bën pjesën në një program që financohet nga një sërë institucionesh ndërkombëtare.
Përmirësimi i rrjetit energjetik në Alpe është pjesë e programit për mundësimin e infrastrukturës dhe turizmit në Shqipëri që ka në objekt disa prej zonave me potencial më të lartë turistik në vend dhe parashikon disa investime në rrugë apo aspekte të tjera që ndikojnë në shkurtimin e kohës apo përmirësimin e kushteve.
Programi financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) e cila mundësoi një kredi të përbërë nga një hua sovrane deri në 60 milionë euro për Qeverinë e Shqipërisë (QSH) duke bashkëfinancuar infrastrukturën dhe mundësimin e turizmit së bashku me një grant investimi të BE-së prej 46 milionë euro.
I njëjti program financon disa prej projekteve më të rëndësishme që kanë hyrë në fazë zhvillimi të tillë si përmirësimi i aksesit në Malin e Tomorit apo rritja e atraktivitetit turistik në Kalanë e Beratit.
Një tjetër investim turistik i financuar nën programin e BERZH është edhe ai me fokus Shkodrën për të cilën është nënshkruar tashmë kontrata dhe që parashikon ndërtimin e Parkut Ligatinor në këtë qytet apo përmirësimi i rrugës tjetër Shirokë-Zogaj-kufi Mali i Zi si dhe furnizimi me ujë dhe rrjeti i largimit të ujërave të përdorura.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor