Vrasja e 67-vjeçarit në Kurbin, policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar


Një 67-vjeçar u vra me armë zjarri në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin. Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim autorin e dyshuar, D. T., i cili dyshohet se e ekzekutoi viktimën për motive pronësie.

Pas njoftimit të marrë në mbrëmjen e 24 shkurtit, forcat policore dhe grupi hetimor ndërmorën operacione të shpejta për kapjen e tij.

Njoftimi:

Kurbin

Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore të kryera në vendngjarje, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes me armë zjarri, të 67-vjeçarit, në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin.

Menjëherë pas njoftimit të marrë rreth orës 18:00 të datës 24.02.2025, se një shtetas ishte vrarë me armë zjarri në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje.

Për hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe me specialistët e Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Në ndihmë të Policisë vendore shkuan katër grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, të kryera nga grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasit D. T., i cili dyshohet se për motive pronësie, ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin D. M.

Shërbimet operacionale dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë kanë vijuar përgjatë natës kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar, por dhe si pasojë e errësirës nuk u bë e mundur gjetja e tij.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë zonën dhe po kryhen veprime të tjera hetimore me qëllim lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.