Administrata Trump ndalon projektin miliona dollarësh të Biden për vaksinën kundër Covid-19


Sekretari amerikan i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. ka ndërprerë një kontratë shumë miliona dollarëshe nga administrata Biden për të krijuar një vaksinë të re për COVID-19, shkruan Fox News.

“Edhe pse është thelbësore që Departamenti i Shëndetësisë (HHS) të mbështesë gatishmërinë ndaj pandemisë, katër vitet e mbikëqyrjes së dështuar të administratës Biden e kanë bërë të nevojshme rishikimin e marrëveshjeve për prodhimin e vaksinave, përfshirë atë të Vaxart,” tha Kennedy për Fox News.

“Mezi pres të punoj me Vaxart dhe ekspertë mjekësorë për të siguruar që kjo punë të prodhojë teknologji vaksinash të sigurta, efektive dhe të përshtatshme financiarisht.”

Kennedy lëshoi ​​një urdhër ndalimi 90-ditor të punës të premten në lidhje me kontratën e HHS-së me kompaninë amerikane të bioteknologjisë Vaxart Inc., e cila po punon për të zhvilluar një vaksinë të re COVID-19 që mund të merret nga goja. Urdhri për ndalimin e punës vjen teksa 10,000 persona ishin planifikuar të fillonin provat klinike të hënën.

Megjithatë prova klinike është frenuar për momentin dhe nuk është ndaluar përfundimisht, me Kennedy-n dhe zyrtarë të tjerë shëndetësorë të vendosur të shqyrtojnë gjetjet fillestare të studimit gjatë 90 ditëve të ardhshme përpara se të vendosin për hapat e ardhshëm.

Krijimi i një vaksine të re për COVID-19 ishte pjesë e nismës së administratës Biden me vlerë 4.7 miliardë dollarë, “Project NextGen”, e cila u prezantua në vitin 2023 dhe punon për të përmirësuar zhvillimin e vaksinave të reja. Vaksina Vaxart u financua në mënyrë specifike përmes një marrëveshjeje me Autoritetin e Kërkimit dhe Zhvillimit të Avancuar Biomjekësor (BARDA), i cili është një departament brenda Administratës për Përgatitjen Strategjike dhe Reagimin nën ombrellën e HHS-së.

BARDA detyrohet afërsisht 460 milionë dollarë për zhvillimin e vaksinës së re nga Vaxart, me një total prej 240 milionë dollarësh të autorizuar tashmë për studimin paraprak.

Një modifikim i fundit i kontratës do kishte lejuar Vaxart të merrte nga BARDA rreth 230 milionë dollarët e mbetur për provat klinike, por urdhri i ndalimit e pengon kompaninë bioteknike të faturojë BARDA-n deri në një njoftim të mëtejshëm. Vaxart, megjithatë, ende mund të marrë financime nga HHS-ja në lidhje me mbikëqyrjen mjekësore të individëve që morën pjesë në një seri fillestar të provave  klinike.

Njoftimi vjen pak më pak se dy javë pasi Kennedy u konfirmua nga Senati dhe u betua si shefi i 26-të i HHS-së në vend. Në të njëjtën ditë kur u betua, Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për krijimin e komisionit “Make America Healthy Again”, i cili udhëhiqet nga Kennedy për të hetuar dhe adresuar “shkaqet rrënjësore të krizës shëndetësore në rritje të Amerikës”.

Komisioni fillimisht do përqendrojë hetimet e tij në sëmundjet kronike të fëmijërisë, si autizmi.

Kennedy, i cili kandidoi për president nga radhët e demokratëve në primaret e vitit 2024 përpara se të largohej përfundimisht dhe të mbështeste Trump-in, është vënë nën kritika për një qëndrim të supozuar kundër vaksinës, të cilin ai e ka mohuar vazhdimisht, përfshirë gjatë seancave të tij të fundit të konfirmimit në Senat.

“Kam punuar me vite për të rritur ndërgjegjësimin për merkurin dhe kimikatet toksike te peshqit,” tha Kennedy për qëndrimin e tij ndaj vaksinave, gjatë seancës së tij përpara Senatit në janar.

“Dhe askush nuk më quajti se jam kundër peshqve. Dhe unë besoj se vaksinat luajnë një rol jetik në kujdesin shëndetësor. Të gjithë fëmijët e mi janë të vaksinuar. Unë kam lexuar shumë libra për vaksinat. Libri im i parë në 2014, rreshti i parë i tij është “Unë nuk jam kundër vaksinës” dhe rreshti i fundit është, “Unë nuk jam armiku i prdhuesve të ushqimeve. Fermerët amerikanë janë themeli i kulturës sonë, i politikës sonë, i sigurisë sonë kombëtare”.

Vaksinat kundër COVID-19 ishin të mandatuara në gjithë qeverinë federale nën administatën Biden, ndërsa shumë biznese në sektorin privat kërkonin gjithashtu që punonjësit të bënin vaksinën, gjë që shkaktoi reagime dhe protesta të përhapura pasi disa punonjës humbën punën, duke mos e zbatuar urdhrin.

Trump nënshkroi disa urdhra ekzekutivë në lidhje me urdhrat e administratës së mëparshme pas kthimit të tij në Zyrën Ovale në janar, duke përfshirë rikthimin në detyrë të ushtarakëve që u pushuan nga puna për kundërshtimin e vaksinës dhe një urdhër tjetër për të ndaluar financimin federal për vaksinat në shkolla.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Fox