Bardh Spahia reagon pasi SPAK-u i dërgoi çështjen për gjykim: Çështja është qesharake dhe e motivuar politikisht


Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të ngritura nga SPAK, duke i cilësuar ato të pabaza dhe me prapavijë politike. Në një deklaratë publike, ai thekson se akuzohet për moskthimin në detyrë të një administratori, pavarësisht se Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) kishte rekomanduar largimin e tij për shkak të shkeljeve dhe abuzimeve në sektorin e ujësjellësit.

Spahia sqaroi se vendimi i tij për shkarkimin e administratorit të Shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër, në maj 2022, ishte bazuar në ankesa të shumta nga qytetarët dhe një raport të KLSH. Pas kundërshtimit të administratorit në gjykatë, një vendim i Gjykatës së Rrethit vendosi pezullimin e shkarkimit, por më vonë Gjykata e Apelit rrëzoi këtë vendim, duke i dhënë të drejtë ish-kryebashkiakut.

“Në shtator 2023, Gjykata e Shkodrës e pushoi çështjen dhe ish-administratori nuk e ankimoi vendimin. Megjithatë, dy vjet pasi unë kisha lënë detyrën, ai më denoncoi në Prokurorinë e Shkodrës për moszbatim të vendimit gjyqësor,” tha Spahia.

Sipas tij, Prokuroria e Shkodrës shpalli mungesë kompetence dhe ia kaloi çështjen SPAK-ut, i cili, siç thekson ish-kryebashkiaku, e trajtoi me përparësi të madhe dhe e thirri katër herë për t’u marrë në pyetje. “Nuk mendova kurrë se kjo çështje do të shkonte në gjykatë, por sot SPAK e ka çuar për gjykim,” shtoi ai.

Spahia e konsideron këtë një përpjekje të pastër politike për të dëmtuar Partinë Demokratike në Shkodër. “Padia ndaj meje është nisur politikisht. Unë do ta fitoj këtë betejë në gjykatë dhe më 11 maj, bashkë me qytetarët e Shkodrës, do të fitojmë edhe betejën politike kundër krimit dhe korrupsionit,” deklaroi ai.

Çështja e SPAK-ut ndaj meje është qesharake: më akuzon se nuk kam kthyer në punë një administrator për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon “Largim nga Detyra”.

Faktet pas kësaj akuze, pa asnjë koment janë këto:

Më 16 Maj 2022, si Kryetar i Bashkisë së Shkodrës mora vendim për shkarkimin nga detyra të administratorit të Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër—shoqëri tregtare në pronësi të Bashkisë Shkodër. Shkarkimi u bë pas ankesave të shumta nga qytetarët dhe një raporti të Kontrollit të Shtetit që gjente shkelje dhe abuzime në ujësjellës-kanalizime dhe rekomandonte largimin e drejtorit.

Administratori bëri ankesë në gjykatë dhe gjyqtari nxorri urdhër për pezullimin e vendimit të shkarkimit deri në shqyrtimin e çështjes.

Unë respektova vendimin e gjykatës dhe prita derisa Gjykata e Apelit dha vendim, e cila prishi vendimin gjykatës së rrethit dhe rrëzoi masën e pezullimit të shkarkimit.

Pastaj, unë mora vendim për shkarkimin e administratorit.

Në muajin shtator 2023, Gjykata e Shkodrës e pushoi çështjen dhe ish-administratori as nuk e ankimoi çështjen në Gjykatën e Apelit. Kështu çështja u mbyll.

Tre vjet më pas, dhe dy vjet pasi kisha lënë detyrën e kryebashkiakut, në korrik 2024, ish-administratori “kujtohet” të më denoncojë në Prokurorinë Shkodër për moszbatim të vendimit të gjykatës. Justifikimi ishte se pasi gjyqtari nxorri urdhërin e pezullimit të vendimit të shkarkimit, unë duhet ta kisha anulluar vendimin dhe ta kthejë në zyrë administratorin deri sa të vendoste gjykata.

Prokuroria e Shkodrës shpalli mungesë kompetence meqë “krimi” i supozuar ishte bërë nga një kryetar bashkie dhe e dërgoi padinë në SPAK.

SPAKU u mor menjëherë me këtë padi, duke i dhënë asaj përparësi të madhe. Unë jam thirrur katër herë për t’u  marrë në pyetje për këtë “krim”.

Nuk mendova kurrë se kjo çështje do arrinte në gjykatë, por sot SPAK e ka çuar për gjykim.

Që ta përsëris me fjalë të thjeshta: SPAK më akuzon se nuk kam mbajtur në detyrë ca muaj një administrator të shkarkuar për të cilin gjykata ka vendosur që është shkarkuar në mënyrë të ligjshme!

Kjo është qesharake: Prokuroria kundër korrupsionit më akuzon se nuk kam mbajtur në punë një njeri i cili sipas KLSH duhej të largohej nga detyra.

Padia ndaj meje është nisur politikisht për të dëmtuar PD-në në Shkodër. Unë do ta fitoj betejën para drejtësisë. Bashkë me qytetarët e Shkodrës do fitojmë më 11 maj edhe betejën politike kundër krimit e korrupsionit që ka pushtuar Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë” -shkruan Spahia.