Reforma në drejtësi dhe krijimi i SPAK-ut përbëjnë një hap kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Që nga viti 2016, janë arritur rezultate të rëndësishme në luftën kundër mosndëshkueshmërisë dhe krimit të organizuar, duke rritur sigurinë brenda dhe jashtë vendit, shkruan delegacioni i BE-së në Tiranë.
Në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, me mbështetjen e Holandës, u diskutuan gjetjet e një raporti mbi efektivitetin e SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, theksoi rëndësinë e balancimit mes llogaridhënies dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor. Ai siguroi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përmirësimet në metodat dhe standardet e drejtësisë shqiptare, në përputhje me praktikat evropiane.
“Ndonëse tashmë ka sjellë shumë rezultate pozitive, ka ende punë për të bërë për të parë zbatimin e plotë dhe të duhur të reformës. Por një gjë është e sigurt: besimi ynë se sistemi që krijohet si pasojë e reformës mund të arrijë një ekuilibër të drejtë midis llogaridhënies dhe pavarësisë. Këto dy parime janë në thelbin e çdo shoqërie demokratike, në të cilën një prokurori e lirë nga ndikimet e panevojshme, qoftë politike, institucionale apo shoqërore, përputhet me mekanizma efektivë të llogaridhënies. BE do të vazhdojë të vlerësojë nevojën dhe rekomandimet për përmirësime në aspektin e metodave, standardeve dhe procedurave,” Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.