Buxheti 2024 u mbyll pa shpenzuar 420 milionë euro


Shqipëria si një vend në zhvillim dhe me një nivel të lartë të varfërisë relativë në mbi 20 për qind të popullsisë ka nevoja të larta për financime nga fondet publike që nga arsimi, shëndetësia, infrastruktura, pagat dhe pensionet, të cilat janë më të ulëtat në BE dhe Rajon.

Pavarësisht këtyre nevojave buxhetit të shtetit i kanë tepruar vitin e kaluar 420 milionë euro, të cilat nuk kanë arritur të shpenzohen sipas programit, raportohet në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave.

Me ndryshimet e fundit në aktin normativ për vitin 2024 ishin planifikuar për tu shpenzuar 771,3 miliardë lekë, por u realizuan vetëm 728.5 miliardë lekë ose 42.7 miliardë lekë më pak se plani.

Siç shihet nga të dhënat mosrealizimi më i madh erdhi në zërin e shpenzimeve korrente me 22,7 miliardë lekë më pak se plani dhe kryesisht nga plani për rritjen e pagave.

Qeveria nuk shpenzuar 11 miliardë lekë ose 110 milionë euro nga plani i rritjes së pagave sipas programit të vitit 2024.

Një shumë tjetër prej 5.6 miliardë lekësh u kursye nga ulja e interesave të borxhit, duke bërë që gjatë vitit të kaluar nga arka e shtetit të alokoheshin për këtë zë më pak se planifikimi.

Pjesë e fondeve të pashpenzuara në vitin 2024 është edhe një shumë prej 11 miliardë lekësh (110 milionë eurosh) ne formën e bonusit të pensionistëve që do të alokohet këtë pranverë.

Gjithashtu qeveria ka kursyer rreth 3.7 miliardë lekë nga fondet rezervë, për arsye të mungesës së ngjarjeve të papritura ose shpenzimeve “surprizë”.

Një shumë tjetër prej 16 miliardë lekësh u kursye nga mosrealizimi sipas programit të ndryshuar të shpenzimeve kapitale. Nga 132 miliardë lekë të planifikuara për investime kapitale në vitin 2024 u realizuan 115 miliardë lekë.

Nga investimet kapitale qeveria nuk ka alokuar sipas planit financimet e huaja. Nga ky zë u tërhoqën vetëm 17.4 miliardë lekë, nga 28.8 miliardë lekë të planifikuara.

Si pasojë e ecurisë pozitive te të ardhurave dhe mos realizimit të shpenzimeve publike sipas programit qeveria arriti të ulë deficitin buxhetor në -18,2 miliardë lekë nga -57,2 miliardë lekë që ishte plani i 2024. Deficiti buxhetore në vitin 2024 ishte më i ulëti në 30 vite, që nga viti 1994.

Të dhënat tregojnë se shpenzimet publike patën përqendrim të lartë në dhjetor. Më shumë se 20% e totalit të buxhetit në 2024 u alokua në muajin e fundit./ B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor