Gjykata e Posaçme (GJKKO) vendosi, pas disa orësh seancë gjyqësore, të lërë në detyrim paraqitjeje disa nga profesorët e arrestuar për skandalin me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), të cilët më parë ndodheshin në arrest shtëpie.
Ndërkohë, masa e sigurisë nuk u ndryshua për të gjithë të arrestuarit, për të cilët SPAK kishte kërkuar “arrest me burg”. Në total, 24 të ndaluarit janë zyrtarë të UBT-së, biznesmenë dhe persona të tjerë të përfshirë, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera.
Seanca ishte planifikuar të niste në orën 10:00, por pas kërkesës së avokatëve për t’u njohur me dosjen, ajo u rinis në orën 14:00.
Sipas SPAK, të hetuarit dyshohen për abuzime në nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë totale prej 900 mijë eurosh. Prokuroria pretendon se zyrtarët e UBT-së, në bashkëpunim me biznese të caktuara, kanë fryrë tenderat për të përfituar shuma të konsiderueshme parash.