Gjyqtari i GJKKO-së Erjon Bani: Nuk kemi as ndihmës ligjorë, për të arritur objektivat, punojmë jashtë orarit zyrtar


Gjyqtari i GJKKO, Erjon Bani, gjatë tryezës për Demokracinë dhe Qeverisjen, theksoi angazhimin e institucioneve të drejtësisë për të ofruar një shërbim cilësor për qytetarët. Ai nënvizoi se GJKKO funksionon me kapacitet të reduktuar të gjyqtarëve, por pavarësisht kësaj, produktiviteti i saj është mbi 99%.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e transparencës në sistemin gjyqësor, duke bërë të ditur se të gjitha vendimet janë të publikuara online në faqen zyrtare gjykata.gov.al. 

“Drejtësia është thjesht shërbim. Jemi thuajse në gjysmën e kapacitetit të gjyqtarëve. Produktiviteti i GJKKO-së është mbi 99 përqind.

Cilësia e çështjeve është e lartë. Nuk kemi as ndihmës ligjorë dhe gjyqtarët për të arritur objektivat, duhet të punojnë shtatë ditë, edhe jashtë orarit zyrtar.

Ne publikojmë të gjitha vendimet që marrim. Kushdo mund të shkojë në gjykata.gov.al dhe i ka të gjitha vendimet online, në shërbim të transparencës. Falënderojmë edhe partnerët tanë për mbështetjen që na kanë dhënë.”