“Kryeministri shqiptar Rama sulmon shtetin e së drejtës dhe Kushtetutën në vendin e tij” – Der Standard


Media austriake Der Standard shkruan se kryeministri Rama ka nisur një sulm ndaj shtetit të së drejëts dhe Kushtetutës së vendit duke sulmuar institucionet e drejtësisë dhe me këtë edhe Kushtetutën e Shqipërisë.

Ajo thekson se Rama, deputetët e PD-së dhe kryebashkiaku i Tiranës Veliaj kanë isur një fushatë presionesh ndaj SPAK-ut e Gjykatës së Posaçme pas arrestimit të Veliajt me qëllim fikësimin e gjyqësorit dhe pengimin e hetimit të figurave kryesore të PS-së e qeverisë.

Der Standard vë në duke se kryeministri Rama, që e ka shpallur veten si garant të drejtësisë së pavarur ka kapur të gjithë institucionet në vend përmes metodave autoritare.

Më poshtë shkrimi i plotë i austriakes Der Standard

Kreu i qeverisë shqiptare kohët e fundit është bërë gjithnjë e më autoritar. Tani ai po përpiqet të kontrollojë gjyqësorin e pavarur

Nga Nga Adelheid Wölfl

Në një bashkëbisedim me ndjekësit në Facebook, Edi Rama, kryeministri shqiptar, godet tavolinën si një djalosh që po kalon një periudhë sfiduese dhe përdor sharje. Që nga arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, më 10 shkurt për akuzat e rënda për korrupsion, Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK) dhe Gjykata Speciale janë sulmuar vijimësisht nga përfaqësues të Partisë Socialiste në pushtet dhe mbi të gjitha nga kryeministri Rama.

Veliaj është një i besuar i ngushtë i Ramës. Vitet e fundit ai ka marrë gjithnjë e më shumë kontrollin e të gjitha institucioneve në Shqipëri duke përdorur metoda autoritare. Tani ai madje ka penguar bashkinë e Tiranës të nisë procedurat e shkarkimit të Veliajt dhe në vend të kësaj e ka bërë veten “de facto” kryetar të bashkisësë kryeqytetit. Rama tha se SPAK po përdor “metodat e Stasit” (Policia Sekrete e Gjermanisë Lindore) dhe po i shkatërron jetën Veliajt “përmes marrëzisë profesionale”.

Në të njëjtën kohë, përfaqësues të Partisë Socialiste dërgohen për të bërë fushatë kundër SPAK-ut dhe Gjykatës Speciale. Ata kërkojnë qartësisht që drejtësia të heqë dorë nga hetimi ndaj Veliajt. Sipas mediave shqiptare, mbështetësit e Partisë Socialiste kanë arritue deri aty sa kanë kërcënuar dhe sulmuar fizikisht prokurorët. Në një deklaratë, SPAK dhe Gjykata Speciale kritikuan Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës për mosmbrojtjen e punonjësve të drejtësisë nga dhunuesit e partisë në pushtet.

“Njerëz në pozita pushteti”

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë reagoi ashpër gjithashtu dhe kritikoi faktin se “njerëzit në pozita pushteti” – duke nënkuptuar padyshim vetë Ramën – “po dëmtojnë imazhin dhe dinjitetin e gjyqtarëve në Gjykatën Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar”, shpjegoi ai. Çdo përpjekje për të minuar pavarësinë e gjyqësorit nëpërmjet presionit apo detyrimit të çdo lloji përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për pavarësinë, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Veliaj sulmoi gjithashtu drejtësinë e pavarur dhe tha në Facebook se prokurori special i ngarkuar ishte një “i çmendur” dhe se akuzat ndaj tij janë “idiote”. Veliaj akuzohet se ka marrë ryshfet për shpërndarjen e kontratave publike për kompanitë e afërta me të. Përveç kësaj, ai dyshohet për pastrim parash. Në masën detyrim paraqitjeje është edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa. Ryshfetet thuhet se janë transferuar në llogari të kontrolluara nga ajo ose të afërmit e saj.

Rama dhe Partia e tij Socialiste në pushtet tashmë duan të frikësojnë gjyqësorin dhe të krijojnë një presion të tillë që hetimet kundër figurave qendrore në parti – si Veliaj – të pushojnë. Por kjo do të thotë gjithashtu se Rama dhe partia e tij duan të anashkalojnë ndarjen e pushteteve për të kontrolluar plotësisht të gjitha institucionet e shtetit. Rama dhe partia e tij po minojnë në mënyrë aktive demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.

Objekti i përplasjeve është reforma në drejtësi

Rama gjatë viteve të fundit është sjellë gjithmonë sikur të ishte garant i reformës në drejtësi që kishte shkarkuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Vitet e fundit edhe SPAK ka treguar se mund të jetë mjaft i fuqishëm. Janë zbuluar disa raste korrupsioni që përfshijnë politikanë të shquar, duke përfshirë ministra. Çështja Veliaj tregon në fakt edhe guximin e prokurorëve.

Në Shqipëri, megjithatë, aktualisht nuk ka asnjë forcë të vetme politike që do avokonte për një gjyqësor të pavarur dhe luftën kundër korrupsionit – pra për një shtet të drejtë për të gjithë qytetarët. Sepse edhe partitë opozitare po sulmojnë SPAK-un. Ish-kryeministri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili gjithashtu është nën hetim, ka premtuar madje se do e çmontojë SPAK-un nëse vjen në pushtet. Berisha e cilësoi kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, si kreun e një “organizate kriminale”.

Gjykata speciale e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe agjencia e saj ligjzbatuese SPAK u krijuan në vitin 2016 si pjesë e afrimit të saj me BE-në dhe nën presionin e SHBA-së.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Der Standard

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani