Lavrov: Dislokimi i trupave paqeruajtëse në Ukrainë do të ishte një ‘mashtrim’


Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka hedhur poshtë mundësinë e dislokimit të trupave paqeruajtëse në Ukrainë, duke e cilësuar një ide të tillë si “biseda boshe” dhe një “mashtrim”.

Komentet e tij vijnë pas deklaratave të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili tha të martën se në rast të një marrëveshjeje paqeje do të ishte i nevojshëm një lloj misioni paqeruajtës, përcjell BBC.

Ndërkohë, Trump ka njoftuar se të premten pret Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington për të nënshkruar një marrëveshje për mineralet strategjike.

 Ai tha se kjo marrëveshje do t’i sigurojë Ukrainës “të drejtën për të luftuar më tej”. 

Nga ana tjetër, kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, ka konfirmuar se është finalizuar një version përfundimtar i marrëveshjes pas negociatave intensive dhe se SHBA mbështet përpjekjet e Ukrainës për të siguruar “garanci të reja sigurie”. 

Luftimet në terren vazhdojnë me përshkallëzime të reja. Ukraina ka raportuar se shtatë persona kanë humbur jetën nga sulmet ruse në rajonet e Donetskut dhe Kievit.

Po ashtu, burime ruse kanë njoftuar për një sulm me dron ukrainas që kishte në shënjestër një terminal të rëndësishëm nafte në territorin rus gjatë natës.