Kryeministri Rama është shfaqur i penduar lidhur me deklaratat e tij ndaj presidentit amerkan Donald Trump-it kur ai kandidonte për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 përballë demokrates Hillary Clinton.
Në një intervistë dhënë për televizionin grek Mega ai tha se tetë vite më parë ka qenë më i ri dhe se ka ndryshuar mendim për shefin e Shtëpisë së Bardhë.
“Në 2016 nuk i kisha të gjithë flokët e bardhë. Isha më i ri dhe ai nuk ishte president ishte kandidat. Më pas u bë president. Munda ta shoh në veprim nga afër, e sigurisht kam ndryshuar mendim.
Për më tepër mendoj se nëse Europa do të fajësojë Trump për situatën e saj do të ishte gabim i tmerrshëm”, tha Rama gjatë intervistës.
Në vitin 2016, në një intervistë të dhënë për Klan Kosova, Rama që asokohe ishte kryeministër i Shqipërisë e quante Donalt Trump-in kërcënim për Amerikën dhe kërcënim për raportet shqiptatro-amerikane.
“Unë e kam thënë hapur atë që e mendoj për Donald Trumpin dhe nuk e kam fare problem që ta përsëris as këtu, as kudo që të jetë, as shqip e as anglisht, që Donald Trumpi është kërcënim për Amerikën dhe nuk diskutohet që është kërcënim për raportet shqiptaro – amerikane. Që i bie, mos e dhëntë Zoti që amerikanët ta zgjedhin për President. Do të ishte një president që i bën dëmë të mëdha amerikës, dhe do të ishte një kërcënim real për raportet shqiptare me Amerikën”, deklaronte Rama në një intervistë dhënë gazetarit Baton Haxhiu.