Trump: SHBA do të shesë ‘viza të arta’ për 5 milionë dollarë


 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të martën se SHBA do të shesë “viza të arta” për të huajt e pasur, e cila do t’u japë të drejtën për të jetuar dhe punuar në SHBA, si dhe një rrugë drejt nënshtetësisë, në këmbim të një tarife prej 5 milionë dollarësh. 

“Do të shesim një vizë të artë,” tha Trump nga Zyra Ovale.

“Ju keni vizën e gjelbër. Kjo është viza e artë. Do t’i vendosim një çmim prej rreth 5 milionë dollarësh dhe kjo do t’ju japë privilegjet e vizës së gjelbër, plus një rrugë drejt nënshtetësisë. Dhe njerëz të pasur do të vijnë në vendin tonë duke blerë këtë vizë.” 

Trump tha se shitja e këtyre vizave do të fillojë brenda rreth dy javësh dhe sugjeroi se miliona të tilla mund të shiten, sipas CNN.

I pyetur nëse do të konsideronte shitjen e vizave për oligarkët rusë, ai u përgjigj: “Po, ndoshta. Njoh disa oligarkë rusë që janë njerëz shumë të mirë.” 

Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, i cili qëndronte pranë Trump, tha se kjo vizë do të zëvendësojë programin aktual të vizave EB-5, i cili lejon investitorët e huaj të investojnë para në projekte amerikane që krijojnë vende pune dhe më pas të aplikojnë për viza për të emigruar në SHBA. 

Ata do të kalojnë përmes një procesi verifikimi, sigurisht,” tha Lutnick, “për t’u siguruar që janë qytetarë të mrekullueshëm dhe me reputacion botëror.” 

 

Programi EB-5 dhe ndryshimet e paralajmëruara

Programi EB-5 u krijua nga Kongresi në vitin 1992 dhe u ofron viza të gjelbra imigrantëve që bëjnë një investim minimal prej 1,050,000 dollarësh, ose 800,000 dollarësh në zona të caktuara me papunësi të lartë, të quajtura zona të synuara për punësim. 

Bizneset e lidhura me Trump dhe familjen e tij kanë shfrytëzuar gjithashtu këtë program për të financuar projekte të mëdha ndërtimi. 

Gjatë mandatit të parë të Trump, programi EB-5 u kritikua nga ligjvënës të të dyja partive, të cilët argumentuan se ai kishte devijuar nga objektivat e tij fillestare dhe kishte nevojë për reforma. 

Administrata Trump në vitin 2019 propozoi rritjen e shumës minimale të investimit për zonat me nevoja ekonomike në 900,000 dollarë dhe në 1.8 milionë dollarë për zonat e tjera, por një gjykatës federal e hodhi poshtë këtë ndryshim në vitin 2021, duke argumentuar se sekretari i përkohshëm i Sigurisë Kombëtare që e kishte miratuar vendimin nuk ishte emëruar në mënyrë të rregullt. 

Programi u rinovua për herë të fundit në vitin 2022 gjatë administratës së Joe Biden, duke vendosur nivelet aktuale të investimit.