Presidenti ukrainas Zelensky pritet të udhëtojë në Uashington në ditët në vijim, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina ranë dakord për kushtet e një marrëveshje mbi burimet natyrore dhe rindërtimin, sipas një zyrtari ukrainas.
Negociatat kanë vijuar prej ditësh mbi një marrëveshje që mund t’i japë SHBA-së qasje në mineralet e rralla të Ukrainës, si pjesë e negociatave më të gjera për t’i dhënë fund pushtimit të Rusisë, si dhe përfshirjen e SHBA-së në një fond rindërtimi për Ukrainën.
Zyrtari ukrainas tha se kushtet u ranë dakord pasi “çdo gjë e papranueshme u hoq nga teksti dhe tani është përshkruar më qartë se si kjo marrëveshje do kontribuojë në sigurinë dhe paqen e Ukrainës”.
Hollësitë e marrëveshjes nuk dihen ende, por një pikë e madhe pengese ka qenë kërkesa nga administrata Trump për një pjesë prej 500 miliardë dollarësh të mineraleve të Ukrainës në këmbim të ndihmës që SHBA-ja i kishte ofruar tashmë Kievit, e cila më parë ishte hedhur poshtë nga Zelensky.
SHBA nuk ka konfirmuar nëse kushtet e një marrëveshjeje janë rënë dakord, shkruan CNN.
“Kam dëgjuar se Zelensky vjen të premten. Sigurisht që është në rregull nëse ai dëshiron dhe do donte ta nënshkruante atë së bashku me mua. Dhe e kuptoj që është një gjë e madhe, shumë e madhe”, tha presidenti i SHBA-së Donald Trump nga Zyra Ovale të martën.
I pyetur se çfarë do merrte Ukraina në marrëveshjen për mineralet, Trump tha: “350 miliardë dollarë dhe shumë pajisje, pajisje ushtarake dhe të drejtën për të luftuar.”