Aktori legjendar hollivudian Gene Hackman dhe bashkëshortja e tij gjenden të vdekur në shtëpinë e tyre 


 

Aktori fitues i dy çmimeve Oscar, Gene Hackman, bashkëshortja e tij Betsy Arakawa dhe qeni i tyre janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në Santa Fe, New Mexico. 

Në një karrierë që zgjati më shumë se gjashtë dekada, Hackman fitoi dy çmime Oscar, dy çmime Bafta, katër Golden Globe dhe një çmim të Sindikatës së Aktorëve të Ekranit. 

Një deklaratë nga Zyra e Sherifit të Qarkut Santa Fe konfirmoi lajmin, përcjell BBC

“Mund të konfirmojmë se Gene Hackman dhe bashkëshortja e tij u gjetën të vdekur të mërkurën pasdite në rezidencën e tyre në Sunset Trail. Kjo është një hetim aktiv – megjithatë, në këtë fazë nuk ka prova që të sugjerojnë se bëhet fjalë për ndonjë krim.” 

Gene Hackman fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë për rolin e Jimmy “Popeye” Doyle në thrillerin “The French Connection” (1971) të William Friedkin, si dhe një Oscar për aktorin më të mirë në rol dytësor për interpretimin e tij si Little Bill Daggett në filmin “Unforgiven” (1992) të Clint Eastwood.

Gjithashtu, ai ishte i nominuar për Oscar për rolet e tij në *Bonnie and Clyde* (1967) – ku interpretoi Buck Barrow – “I Never Sang for My Father” (1970), si dhe për rolin e tij si agjent në “Mississippi Burning” (1988). 

Sherifi i Qarkut Santa Fe, Adan Mendoza, konfirmoi lajmin për mediat lokale pas mesnatës së të mërkurës, duke bërë të ditur se çifti kishte ndërruar jetë së bashku me qenin e tyre. 

Hackman ishte 95 vjeç, ndërsa Arakawa ishte 63. 

Megjithëse nuk u dha asnjë shkak i menjëhershëm i vdekjes, Mendoza theksoi se hetimet po vijojnë dhe se autoritetet janë në pritje të miratimit të një urdhër-kërkimi për të vijuar procedurat hetimore. 

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Hackman interpretoi më shumë se 100 role, duke përfshirë atë të Lex Luthor në filmat “Superman” të viteve 1970-1980.

Ai gjithashtu shkëlqeu në filma si “Runaway Jury”, “The Conversation”, si dhe në filmin e Wes Anderson “The Royal Tenenbaums”. 

Roli i tij i fundit në kinema ishte ai i Monroe Cole në “Welcome to Mooseport” (2004).