Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka kërkuar miratimin e një ligji për “desorosifikimin” e Shqipërisë, duke e cilësuar këtë një emergjencë kombëtare.
Berisha tha se një “tërmet i madh politik” ka ndodhur në botë dhe se ndikimi i George Soros duhet të marrë fund edhe në Shqipëri. Ai paralajmëroi mazhorancën se, nëse nuk e miraton tani, pas zgjedhjeve opozita do të sjellë një ligj që do t’u “dhembë më shumë”.
Ai e krahasoi këtë iniciativë me procesin e dekomunistizimit dhe tha se Kongresi i SHBA ka cituar Shqipërinë për akte antidemokratike dhe shpërdorim të fondeve amerikane.
“Siç e shihni, një tërmet i madh politik ka ndodhur në botë dhe ju nuk mund të bëni të paditurin.
Nuk mund të fshiheni sepse ky tërmet ka pasur pasqyrime apo reflektimin më të madh pas SHBA në Shqipëri.
Ky tërmet është përmbysja e sorosizmit dhe ekstremit të majtë në SHBA, por që pati reflektime të tmerrshme edhe në këtë vend.
Ju kërkoni ta kaloni në një kohë kur atje, në atë vend, çdo ditë presidenti firmos zinxhir dekretesh për desorosifikimin e SHBA, ju vazhdoni të bëni sikur do mund t’i mbani ato në këmbë.
Të mbani në këmbë akte, qëndrime, të cilat janë në armiqësi të plotë jo vetëm me Shqipërinë, por me të gjitha vendet e lira, me të gjitha vendet që aspirojnë të mbeten të tilla.
Ndaj me urgjencë ligji për desorosifikimin e Shqipërisë është një emergjencë kombëtare.
Është më mirë të behet tani se sa kur ta bëjmë ne fill pas zgjedhjeve se do thoni po na persekutoni.
Por unë u garantoj se do ketë të njëjtën peshë me ligjin që do bëhet për dekomunistizimin.
Pra, më mirë të bëjmë një ligj tani.
Sepse ju e dëgjuat mbrëmë Kongresin e SHBA.
Nuk janë më tash vetëm tre organizatat më të mëdha në botë partiake, por është institucioni themelor i demokracisë, ku ju u cituat për akte antidemokratike dhe për plaçkitje të fondeve të SHBA.
Prandaj dhe ligjin pranojeni më mirë si e keqja më e vogël për ju, se ai do bëhet pas zgjedhjeve, u garantoj se do u dhembë shumë.
Më mirë tani se pas zgjedhjeve.”