Drejtoresha e Programeve të Shoqërisë Civile, Delina Fico, ka reaguar ndaj pretendimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha se East-West Management Institute (EWMI) ka luajtur rol në reformën në drejtësi në Shqipëri dhe ka marrë financime nga fondacioni Soros.
Në një deklaratë publike, Fico e cilësoi këtë pretendim si të rremë dhe shprehu keqardhje që ai u referua edhe në një dëgjesë në Kongresin e SHBA. Ajo kritikoi mediat shqiptare për mungesën e verifikimit të informacionit, duke theksuar se raportet publike të EWMI tregojnë qartë se ky institut nuk ka marrë fonde nga fondacioni Soros dhe nuk ka pasur asnjë rol në reformën në drejtësi.
“Po të kishin bërë thjesht detyrën e tyre si gazetarë dhe të kishin kërkuar prova, do të kishin konstatuar se EWMI nuk ka marrë financime nga Soros dhe nuk ka ndikuar në reformën në drejtësi,” u shpreh Fico.
Ajo theksoi se EWMI ka zbatuar programe në Shqipëri të financuara nga USAID dhe Departamenti i Shtetit të SHBA, por pa asnjë lidhje me reformën në drejtësi, duke hedhur poshtë akuzat e Berishës si të pabazuara.
“Prej vitesh Sali Berisha pretendon se East-West Management Institute (EWMI) ka luajtur rol në reformën në drejtësi në Shqipëri, financuar edhe nga fondacioni Soros.
Fatkeqësisht, ky pretendim i rremë i tij u referua dje edhe në një dëgjesë në Kongresin e SHBA. E di çfarë është më e trishtuar? Në të gjitha këto vite që Sali Berisha e përsërit këtë gënjeshtër, asnjë gazetar ose media nuk ka bërë detyrën e tyre bazë: të pyesë EWMI, USAID apo dhe fondacionin Soros për këtë pretendim, si dhe të kërkojë prova për ta vërtetuar atë, si, p.sh., duke lexuar raportet mbi aktivitetin e fondet e EWMI në Shqipëri, raporte, të cilat janë publike.
Po të kishin bërë thjesht detyrën e tyre si gazetarë, para se të përhapnin më tej gënjeshtrën e Sali Berishës, këta gazetarë e këto media do të kishin konstatuar se:
Ewmi nuk ka marrë asnjë financim nga fondacioni Soros për programet në Shqipëri; (2) Ewmi dhe programet që Ewmi ka zbatuar në Shqipëri, të financuara nga usaid dhe departamenti i shtetit të SHBA, nuk kanë luajtur asnjë rol në reformën në drejtësi në Shqipëri”-shkruan Fico.