Kryeministri Rama përsëriti për të disatën ditë radhazi kritikat ndaj SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme.
Gjatë një takimi me asambletë socialiste të njësive 8, 9 dhe 11 të Tiranës, ai tha se vendimet e drejtësisë duhet të jenë të formës së prerë ndërsa theksoi se mbështetja e PS-së për drejtësinë e re ka qenë vendimtare.
“Shqipëria nuk ka pasur kurrë drejtësi të pavarur, nuk ka pasur një rast që një ministër të merret nga një prokuror dhe të hetohet dhe të bëhet telenovelë dhe të linçohet në ndonjë rast ndokush pa gjyq duke qenë i zgjedhur. Në këtë proces ka gjëra që nuk shkojnë, por ne 5 vite kemi mbyllur gojën sepse pavarësia ka qenë kryesorja për të garantuar pavarësinë, por s’është vetëm ajo, por edhe profesionalizmi dhe standardi. Ne duam drejtësi europiane dhe duam drejtësi të formës së prerë jo me paraburgim pa gjyq. Një parti si e jona që dy mandate ka qeverisë e vetme dhe i thotë drejtësisë dil e pavarur dhe ja ku më ke dhe ha trupin tim s’ka problem rëndësi ka që të gjithë të bëhen të barabartë para ligjit edhe sikur ti të kafshosh gabimisht.” – tha Rama.