GJKKO zbuti masat për stafin e UBT, Rama: S’mund të merrej peng jeta universitare


Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur vendimin e GJKKO për të lehtësuar masat e sigurisë ndaj stafit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke e cilësuar atë si një balancë mes drejtësisë dhe normave demokratike.

Sipas tij, ky vendim ruan stabilitetin e komunitetit akademik dhe shmang dëmtimin e reputacionit të universitetit, ndërsa drejtësia vijon punën e saj për ndëshkimin e shkeljeve ligjore.

Postimi i kryeministrit Edi Rama:

 

 

Ja pse jam i lehtësuar me lajmin e rrëzimit në Gjykatën Speciale të 20 masave të sigurisë (nga 24) në Universitetin Bujqësor:

  1. Drejtësia për shkeljet e pretenduara të tre viteve më parë, as nuk pengohet as nuk ndihmohet nga ato masa sigurie, ndërsa jeta personale e familjare e kujtdoqoftë që mund të jetë krejt i pafajshëm, kthehet në një ferr padrejtësie me pasoja traumatike.
  2. Prokurorët dhe gjykatësit mund ta bëjnë tani pa asnjë ndryshim, deri në fund, detyrën e tyre dhe fajtorët e mundshëm nuk kanë asnjë shans të shpëtojnë, nëse kanë prekur fondet publike. Por ama jeta universitare nuk merret peng, reputacioni i universitetit nuk mbytet në llumin mediatik, stabiliteti psikologjik i komunitetit të pedagogëve, studentëve, prindërve nuk lëndohet, ndërkohë që drejtësia vazhdon qetësisht punën e vet.
  3. Aleanca strategjike e UBT me Universitetin BOKU të Vienës, që u krijua me një përpjekje të madhe të qeverisë dhe programi ambicioz i transformimit rrënjësor, e i njehsimit të diplomave BOKU/UBT2030 nuk kërcënohet më nga humbja e besimit të partnerëve austriakë përballë panoramës lemeritëse të 24 masave të sigurisë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë operacion në fshatin Corleone!

Duam luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ndëshkim pa mëshirë për çdo dorë që hyn në xhepat e popullit, por po ashtu, nuk mund të bëjmë kompromise në mbrojtje të normave demokratike europiane të drejtësisë.

Pas 100 e kusur vitesh e kemi tërhequr pushtetin politik nga fusha e drejtësisë dhe ia kemi lënë drejtësisë të na hetojë e gjykojë edhe ne, si të gjithë të tjerët, nëse shkelim ligjin.