Izraeli liron të burgosur palestinezë pasi Hamasi dorëzon trupat e katër pengjeve izraelite 


 

Hamasi ka dorëzuar trupat e katër pengjeve izraelite nga Gaza në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë nga Izraeli. 

Autoritetet izraelite po kryejnë teste të ADN-së për të konfirmuar se trupat e dorëzuara i përkasin Shlomo Mansour, 86 vjeç, Ohad Yahalomi, 50 vjeç, Tsachi Idan, 50 vjeç, dhe Itzik Elgarat, 69 vjeç, të gjithë të rrëmbyer nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023.

Në orët e para të së enjtes, Izraeli nisi lirimin e më shumë se 600 të burgosurve palestinezë. Disa dhjetëra prej tyre u kthyen në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Gaza, ku u pritën nga turma të gëzuara. 

Ky është shkëmbimi i fundit i të burgosurve në fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit, e cila pritet të përfundojë të shtunën. 

Izraeli nuk ka konfirmuar ende rezultatet e analizave të ADN-së mbi trupat e dorëzuara nga Hamasi. Testet fillestare u zhvilluan pranë kufirit mes Izraelit dhe Gazës, dhe më pas trupat u transportuan në një laborator mjeko-ligjor në Tel Aviv, sipas BBC.

Ndryshe nga shkëmbimet e mëparshme, dorëzimi i trupave nga Hamasi u krye në mënyrë private, pa ceremoni publike, siç kishte kërkuar Izraeli. Kjo vjen pas akuzave të Izraelit se Hamasi kishte përdorur “ceremoni poshtëruese” gjatë dorëzimeve të mëparshme të pengjeve, duke çuar në vonesën e lirimit të të burgosurve palestinezë fundjavën e kaluar. 

Sipas zyrtarëve të Hamasit, lirimi i të burgosurve palestinezë përfshinte mbi 400 gazianë të arrestuar nga forcat izraelite gjatë luftës dhe 50 të burgosur që vuanin dënime të përjetshme në burgjet izraelite. 

Shkëmbimi i fundit ndodh në një moment kritik, pasi ende nuk është e qartë nëse armëpushimi do të zgjatet apo do të kalojë në fazën e dytë, e cila parashikon lirimin e të gjithë pengjeve të mbetur izraelitë në Gaza në këmbim të lirimit të më shumë të burgosurve palestinezë. 

Mediat izraelite raportojnë se negociatat për fazën e dytë ende nuk kanë filluar, pavarësisht se ishin planifikuar të nisin gjatë fazës së parë të armëpushimit. 

Ndërkohë, të mërkurën, mijëra izraelitë morën pjesë në funeralin e tre pengjeve të vrarë në Gaza – Shiri Bibas dhe dy djemve të saj, Ariel dhe Kfir, të cilët u varrosën në një ceremoni të ndjekur gjerësisht nga publiku dhe mediat izraelite.