“Kemi bërë çmos për bujqit e fermerët. Fitorja më 11 maj na duhet për t’u futur në BE” – Rama


Rama pohoi sot se qeveria e tij ka bërë çmos për bujqit e fermerët, të cilët do kenë edhe më shumë përfitime pas anëtarësimit në BE.

Gjatë një takimi me socialistët e njësive 8, 9 e 11 në Tiranë, kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria është shumë pranë anëtarësimit në familjen evropiane.

Rama u kërkoi socialistëve angazhim maksimal në zgjedhjet e 11 majit të cilat i cilësoi si tejet të rëndësishme.

“Nëse ne kemi bërë të gjitha këto vepra infrastrukturore, me anëtarësimin në BE mundësitë për të zhvilluar infrastrukturën shumëfishohen sa hap e mbyll sytë. Nëse kemi bërë çmos për bujqit e fermerët, mundësitë për ta shumëfishohen nëse hyjmë në BE. E njëjta gjë vlen për të gjitha fushat. Fondet e BE-së  nuk mund të merren nëse nuk je anëtar i asaj familjeje. Është njësoj si të hysh nuse apo dhëndër në një familje shumë të madhe pasi ke qenë jetim. Ky është 11 maji për fëmijët tanë dhe të gjithë ata që janë ende sot aktivë, sepse na duhet viti 2026 dhe viti 2027 për të mbyllur negociatat dhe për të futur Shqipërinë në BE. Në momentin që bëhet ratifikimi i parë mund të shkojmë te çdo monument dhe t’i themi: U bë kjo punë. Këto janë zgjedhje themelore sepse për herë të parë na është hapur dritarja e një mundësie që dukej e pamundur më parë. Mundësia që brenda pak më shumë se dy vite në të mbyllnim gjithë procesin e negociatave me BE dhe të hapim derën për të hyrë në familjen europiane, dhe pastaj të marrim nga vendet anëtare aprovimin si anëtarë të ri. Kjo është ngritja e dytë e flamurit të Shqipërisë pas atij të 1912.” – tha Rama.