Përpara se të shtrohej në spital për pneumoni të dyfishtë, Papa Françesku po luftonte me kundërshtinë e fortë të disa prej kardinalëve të tij rreth mënyrës se si të mbyllte një hendek në rritje në financat e Vatikanit.
Tre ditë para shtrimit në spital, Françesku urdhëroi krijimin e një komisioni të ri të nivelit të lartë për të inkurajuar donacionet për selinë e Kishës Katolike prej 1.4 miliardë anëtarësh.
“Komisioni i ri për Donacionet për Selinë e Shenjtë”, i shpallur nga Vatikani të mërkurën, ndërsa Françesku po kalonte ditën e tij të 13-të në spital, u formua pasi Papa u përball me shtyrjen kundër propozimeve të tij për shkurtimin e buxhetit të Vatikanit.
Në një takim me dyer të mbyllura në fund të vitit të kaluar, shefat e departamenteve të Vatikanit, përfshirë kardinalët e lartë, argumentuan kundër shkurtimeve dhe kundër dëshirës së Papës argjentinas për të kërkuar fonde nga jashtë për të rregulluar deficitin, thanë dy zyrtarë për Reuters.
Zyrtarët kërkuan të mos përmendet për shkak të natyrës së ndjeshme të informacionit.
Françesku ka disa vite që kërkon të rregullojë buxhetin. Ai ka shkurtuar rrogat e kardinalëve tre herë që nga viti 2021 dhe ka kërkuar një axhendë “zero deficit” në shtator.
Por përpjekjet e tij duket se kanë pasur pak ndikim.
Megjithëse Vatikani nuk ka publikuar një raport të plotë buxhetor që nga viti 2022, grupi i fundit i llogarive, i miratuar në mesin e vitit 2024, përfshinte një mungesë prej 83 milionë eurosh, thanë të dy burimet.
Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur shifrën e deficitit.
Ndërsa Vatikani ka operuar me deficit për vite me radhë duke riekuilibruar llogaritë dhe duke përdorur dividentët nga të ardhurat e tij nga investimet, hendeku është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Në vitin 2022, hendeku i raportuar nga Vatikani ishte 33 milionë euro.
Dy kardinalë që mbikëqyrin buxhetin e Vatikanit hodhën poshtë kërkesat e Reuters për intervista dhe nuk dhanë informacione mbi gjendjen e tanishme të buxhetit. Vatikani nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
RRITJET E PENSIONIT
Shqetësimeve buxhetore u shtohen edhe detyrimet në rritje brenda fondit të pensioneve të Vatikanit, të cilat u vlerësuan në rreth 631 milionë euro nga cari i financave të Vatikanit në një intervistë për mediat e vitit 2022.
Nuk ka pasur asnjë përditësim zyrtar për këtë shifër, por disa burime të brendshme i thanë Reuters se besojnë se ajo është rritur.
“Problemet e buxhetit do e detyrojnë Vatikanin të bëjë shumë gjëra që nuk dëshiron të bëjë,” tha Tom Reese, një prift jezuit dhe komentator që ka shkruar për financat e Vatikanit.
Vatikanit mund t’i duhet të kufizojë punët e tij bamirëse ose të zvogëlojë praninë e tij diplomatike në ambasadat anembanë botës, tha ai.
“Gjurma e Papës mund të reduktohet rëndë”, tha Reese.
“Nëse nuk mund të paguani faturat, nuk mund të bëni shumë.”
Reuters nuk mundi të përcaktojë arsyet e sakta prapa mungesës në rritje të buxhetit të Vatikanit. Vatikani pësoi një humbje të konsiderueshme të të ardhurave nga turistët gjatë pandemisë Covid. Në tetor, Papa tha gjithashtu se do duheshin shkurtime të buxhetit prej të paktën 40 milionë eurosh për operacionet e gjera mediatike shumëgjuhëshe të Vatikanit.
Edhe pse Vatikani është selia e Kishës Katolike globale, ai përgjithësisht kontrollon vetëm buxhetin e tij. Në shumicën e rasteve, dioqezat individuale dhe urdhrat fetarë kontrollojnë financat e tyre.
Duke adresuar problemet buxhetore në takimin e fundit, Papa sugjeroi që zyrat e Vatikanit mund të kërkojnë fonde të jashtme për të ekuilibruar shpenzimet ose për të shmangur shkurtimet e personelit, sipas dy zyrtarëve që folën për Reuters.
Disa kardinalë vunë në pikëpyetje mençurinë e një lëvizjeje të tillë, duke argumentuar se mund të shkaktonte konflikte interesi për Kishën, thanë burimet.
Reuters nuk mund të përcaktojë se cilat burime financimi dëshiron që Papa të përdorin zyrat e Vatikanit. Disa të brendshëm thanë se fondacionet e pasura katolike në SHBA dhe Evropë, të cilat zakonisht drejtohen në mënyrë të pavarur dhe përcaktojnë prioritetet e tyre të financimit, mund të ofrojnë një burim të vlefshëm të ardhurash.
Komisionit të ri të nivelit të lartë i njoftuar të mërkurën iu dha detyra për të inkurajuar dhurimet nga laikët katolikë, konferencat e peshkopëve kombëtarë “dhe dashamirës të tjerë të mundshëm”.
RRJEDHJET E KUFIZUARA TË TË ARDHURAVE
Papa emëroi një administrator të ri për fondin e pensioneve të Vatikanit në nëntor dhe paralajmëroi se struktura e tij operative mund të ketë nevojë të ndryshojë, pa dhënë hollësi të mëtejshme. Fondi nuk i ka bërë publike llogaritë e tij.
Shumë fonde publike të pensioneve kanë nënvlerësuar se sa gjatë do jetojnë punonjësit në pension, duke hedhur poshtë llogaritjet e tyre buxhetore. Në vitin 1960, jetëgjatësia mesatare e Italisë ishte 69 vjeç kundrejt 83 vjeç në vitin 2022. Nuk është e qartë nëse Vatikani ka bërë ndonjë rregullim për ta marrë këtë parasysh.
“Nëse i merrni gabim supozimet e jetëgjatësisë, ky mund të jetë një problem i madh,” tha Gregory Kearney, një studiues në Universitetin e Stanfordit, i cili ka studiuar fondet shtetërore të pensioneve të dështuara në SHBA.
Vatikani, një mikroshtet brenda Romës, ka mundësi të kufizuara fiskale. Ai nuk lëshon borxhe, nuk shet obligacione ose nuk vendos taksa. Një marrëveshje monetare e vitit 2010 me BE-në e kufizon Vatikanin që të emetojë vetëm një sasi fikse të monedhave euro çdo vit, e përcaktuar fillimisht në një shumë prej 2.3 milionë euro.
Në vend të kësaj, selia globale katolike ka tre rrjedha kryesore të të ardhurave. Ajo merr donacione përmes fondit zyrtar të Papës. Ajo ka një portofol investimesh, i cili përfshin investime në aksione dhe më shumë se 5000 prona, shumica dërrmuese në Itali. Dhe fiton para nga biletat e hyrjes në Muzetë e Vatikanit.
Muzetë pësuan një rënie të madhe të të ardhurave gjatë pandemisë Covid nga viti 2020 në 2022, për shkak të bllokimeve të zgjatura në Itali, por vizitorët kanë vërshuar që nga viti 2023.
Vatikani raportoi një fitim prej 45.9 milionë eurosh nga investimet e tij në vitin 2024. Ai nuk tha nëse po shiste ndonjë aset, por tha se 35 milionë euro nga fitimi vinin nga menaxhimi më i mirë i pronave me qira.
Donacionet për Vatikanin kanë qenë relativisht të qëndrueshme, mesatarisht rreth 45 milionë euro gjatë dekadës së fundit, me rritje prej 74 milionë eurosh në vitin 2018 dhe 66 milionë eurosh në 20190ën.
Megjithatë, Ed Soule, një profesor biznesi në Universitetin Georgetoën të drejtuar nga jezuitët në Uashington, shqetësohej se donatorët e pasur katolikë mund të fillonin të ndalonin donacionet nëse mendonin se ato po përdoreshin për detyrime pensionesh të pafinancuara dhe jo për punë bamirësie.
“Disa donatorë do ta shikonin këtë dhe do të thoshin se nuk jemi të interesuar të përdorim paratë tona për të financuar pensionin tuaj,” tha ai.
“Kjo nuk është diçka që i emocionon njerëzit.”
SHPRESAT TE JUBILEU
Problemet buxhetore të Papës vijnë pasi Vatikani po parashikon një numër rekord vizitash nga turistët në vitin 2025, si pjesë e Vitit të Shenjtë Katolik në vijim, i njohur gjithashtu si Jubile. Rreth 32 milionë turistë priten gjatë vitit.
Shumë prej turistëve do paguajnë për hyrjen në muze, që kushton të paktën 20 euro.
“Kjo pa dyshim do sjellë shumë para në arkat e Vatikanit,” tha J.F. Pollard, një historian britanik që ka shkruar për financat e Vatikanit.
Por vetëm një pjesë e këtyre të ardhurave do ndihmojë në plotësimin e deficitit buxhetor, pasi muzetë duhet gjithashtu të paguajnë stafin e tyre dhe të mbulojnë kostot për ekspozitat dhe punimet e tij të gjera të konservimit dhe restaurimit.
Reese tha se jubileu nuk do sillte para të mjaftueshme për të mbushur deficitin.
Papa, i cili është 88 vjeç dhe është shtruar disa herë në spital vitet e fundit, mund të vendosë të shesë një pjesë të portofolit të investimeve të Vatikanit për të mbuluar deficitin, sugjeroi prifti jezuit.
Çdo shitje do siguronte të ardhura të menjëhershme, por do zvogëlonte fitimet e ardhshme të investimeve.
“Kjo e shtyn problemin për zgjidhje nga një papë i ardhshëm,” tha Reese.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani