Veliaj flet nga burgu për sulmet ndaj prokurorit dhe hetimet ndaj tij


Erion Veliaj ka dhënë një intervistë më shkrim për emisionin Top Story në Top Channel.

Ai ka folur në lidhje me sulmet dhe reagimet ndaj prokurorit të çështjes së tij, Olsi Dado.

Veliaj thotë se nuk po godet drejtësinë por e cilësoi prokurorin tumor që ka shkelur çdo ligj.

Ai foli edhe për shpenzimet e të shoqes që sipas tij nuk janë ato që ka shkruar prokuroria.

Pyetje: Nëse prokurori Olsi Dado ishte në konflikt interesi për të të hetuar ty, pse zgjodhe derisa të përballeshit në sallën e gjyqit për t’ia thënë këtë konflikt? Mendove se do ta intimidoje në sallën e gjyqit? Ia plotësove kërkesën dhe mendove se kjo do të lehtësonte? Pse reagove vetëm në sallën e gjyqit?

Erion Veliaj: Dita e gjyqit ishte edhe dita e fillimit të hetimeve, absurde apo jo? Pra, gjer në atë ditë, prokurori shpenzoi një vit e gjysmë duke bërë “ca verifikime”; pra, një hile për të bërë hetim për Nesti Angonin – që nuk ekziston – pa e regjistruar kurrë emrin në regjistër.

Po të shikosh të ashtuquajturin kallëzim, që të ftoj ta gjesh e ta publikosh, do çuditet i madh e i vogël se në bazë të kësaj letre bakalli, kryetarit të Bashkisë më të madhe në vend i ka kaluar e gjithë jeta e tij, nga rinia e deri më sot, jo në një skaner, por në një MRI.

Po kështu, nga zelli i madh, prokurori ka shkelur ligjin, Kodin e Procedurës Penale dhe çdo normë tjetër ligjore, duke regjistruar hetimin dhe porositur arrestin në të njëjtën ditë. Imagjino zellin e madh, kur ashtu siç njoftonin me sms e telefonata familjen time ditë të shtunë, po kështu vendosën burgosjen time në ditë të dielë.

Pas shumë peripecive, brenda Prokurorisë së Posaçme, ku gjenden plot zonja e zotërinj me integritet dhe profesionalizëm, më në fund arritën të gjejnë një prokuror për të kryer ekzekutimin tim politik.

Pas 3 ditëve në izolim total, mundësia e parë për t’u përballur me prokurorin-ndërtues si person nën hetim qe dita e gjyqit. Leja e tij e ndërtimit është fakt dhe debatet për lejen i pranoi edhe vetë. Është konflikt i pastër interesi dhe ia thashë me rastin më të parë që m’u dha, në mes të klithmave histerike “ndyrësirë… gënjeshtar patologjik… do të ta tregoj unë ty… do ta bëj edhe këtë surprizë” etj. etj.

Si e shpjegon, Grida, që Saliu, pasi poqi 26 vetë në Gërdec, vrau me plumba në mish 4 njerëz me duar në xhepa e që s’ka kërkuar falje për krime monstruoze, i kërkon falje dhe fshiu postimin për Ols Dadon dy ditë përpara se Olsi t’i dorëzonte kokën time? Mos u bëni naivë e të mos i fyejmë inteligjencën njëri-tjetrit. Kishte 500 ditë me Nesti Angonin, zgjodhi fillimin e fushatës!

Pra, pas akuzave dhe më pas ndjesës së Saliut, Olsi vendosi të kalojë nga kostumet e tij, te fustanet e bashkëshortes sime! Please Sherlock!

Pyetje: Çfarë beteje është të godasësh drejtësinë, kur ju vetë, kur keni dalë nga SPAK, keni folur me konsiderata të larta për standardet e reja të drejtësisë dhe i keni konsideruar kolegë Prokurorët e SPAK? Nga njëra anë, ju dhe gjithë Partia Socialiste jeni investuar ta tregoni Reformën në Drejtësi si produkt të PS, pse i ul kredencialet e tua duke goditur drejtësinë?

Erion Veliaj: Unë nuk po godas drejtësinë! Në SPAK ka plot njerëz dinjitozë, me 10-ta, me meritë dhe me profesionalizëm, që i bëjnë nder kësaj reforme. Dhe po, kolegë janë, punojmë të gjithë për Republikën, për Shtetin, për vendin. Koleg është edhe pastruesi e polici, edhe kryeministri dhe Presidenti – se punojmë të gjithë për një mision, Shqipërinë në Europë e Tiranën si pjesën më Europiane të saj.

Por, nuk ka pyll pa derra dhe nëse na shitet si ajkë dikush me 5-a, që e çan karrierën nga shtrati e jo nga shteti, me konflikt të pastër interesi dhe në shkelje të kritereve, patjetër që do të flas.

Unë jam në burg, Grida, djalit s’i kemi thënë ende.

Jemi në situatë komplet të pabarabartë: Unë në burg, ku as takoj njeri, as informohem dot. Sot as krerët e kulteve, as deputetët, as dy senatorë italianë, as nënkryetarët e Bashkisë, as anëtarët e Këshillit Bashkiak, e askush tjetër nuk lejohet. Kurse Sali kërma i 21 Janarit e Gërdecit, që i kërkon falje Olsit, është i lirë. Edhe kur ishte në arrest shtëpie dhe nuk i lejohej takimi me asnjë person, përveç familjarëve, ai vazhdonte qetësisht të priste me kuç e me maç pa e ndaluar kush dhe në kundërshtim të urdhërimit të SPAK dhe të vendimit të Gjykatës.

Po kështu, nuk patën guximin, kur ishte në arrest shtëpie e paraqitej në gjykatë, ta shoqëronin me automjetin e Policisë së Shtetit, por lëvizte me makinën e tij private, serbes-serbes. Jo e njëjta gjë ndodhi me bashkëshorten time, pasi në respektim të ligjit u paraqit ditën e seancës e shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Shtetit dhe me automjetin e tyre.

I jap gjithë mbështetjen Drejtësisë, por nëse e duam vërtet, duhet t’ia themi kur ka një masë tumorale në formën-gjuhën-dëftesën-hilen e Ols Dados, që trupi i shëndoshë të mos gangrenizohet nga kati shtesë i kollovarit pa letra në pisllëkun që e emëroi në 2008.

Pyetje: A ke pasur apo jo dijeni për shpenzimet e bashkëshortes tënde Ajola Xoxa? A e ke ditur që janë shpenzime personale apo të bizneseve të saj? A ke pasur dijeni për shifrat e këtyre shpenzimeve?

Erion Veliaj: Bashkëshortja ime vjen nga një familje e nderuar, e pasur dhe me 17 vjet karrierë në studio e biznes privat. Ka shpenzuar prej të ardhurave të saj vetëm 50,000 lekë në muaj nga karta e saj personale, në total 7 milion lekë të reja në rreth një dekadë.

Të mbledhësh gjithë bilancet vjetore të 7-8 enteve që merren me teatro, skenografi, videoklipe, opereta, mjuzikalë, sfilata mode, photo shooting, dhe garderobat skenike në 17 vite t’i trajtosh si personale në një ditë, është ligësi e misogjeni. Janë të gjitha të deklaruara nga secili ent, me taksa, dogana e tvsh në rreth dy dekada.

Pra, nuk kemi asgjë në një veting 20 vjeçar, të vetmin në Republikë, për të shoqin Erion Veliaj, dhe tani do i qepemi gruas, lodrave të djalit, makinës së vjehrrit të vdekur, vëllait, nënës – kujtdo, vetëm ta heqim nga fushata këtë që na mundi thellë në 2015, 2017, 2019, 2021, 2023 dhe (sapo të dal nga këtu) edhe në 2025, në një Tiranë më të pastër, më të bukur, më të vlerësuar ndërkombëtarisht, me 45 shkolla ultra moderne, plus 110 kopshte e çerdhe, Teatër të ri, Shesh të ri, Park të ri, Bulevard të ri, Unazë të re, Kala të re, Kopësht të ri Zoologjik, që Saliu-Luli-Olsi as kishin ide e kurajo t’i bënin!