2 vite nga përplasja tragjike e trenave në Greqi, greva masive në vend


Greqia po përjeton protesta dhe greva masive në përvjetorin e dytë të aksidentit më të rëndë hekurudhor në historinë e saj, ku humbën jetën 57 persona. Dhjetëra mijëra qytetarë pritet t’i bashkohen demonstratave, duke kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie nga autoritetet.

Raporti hetimor, i publikuar në prag të protestave, fajëson gabimet njerëzore, infrastrukturën e vjetëruar dhe mungesën e kontrolleve moderne të sigurisë si faktorë kryesorë të tragjedisë. Opozita ka akuzuar qeverinë për fshehje të përgjegjësisë, ndërsa kryeministri Kyriakos Mitsotakis përballet me zemërimin në rritje të qytetarëve.

Në përgatitje për protestat e fuqishme, qeveria ka vendosur 5,000 oficerë policie në Athinë, ndërsa vendi pritet të paralizohet nga greva e përgjithshme, që do të ndërpresë shërbimet publike dhe aktivitetin tregtar.

Në Athinë, tubimi do të fillojë në orën 11:00 me qendër në sheshin Sintagma, dhe në Selanik gjithashtu në orën 11:00 me qendër statujën e Venizelos.

Familjarët e viktimave i kanë bërë thirrje publikut që të marrë pjesë në tubim.

Në shenjë mbështetjeje, një pjesë e madhe e hoteleve do të qëndrojë e mbyllur ditën e sotme, ndërsa grevë 24-orëshe mbarëkombëtare është shpallur nga GSEE , ADEDY, OASA dhe organe të tjera.

Mitingje në kujtim të viktimave të aksidentit tragjik të Tempit po organizohen edhe në qytetet kryesore jashtë vendit. Në Bruksel tubimi do të fillojë në orën 18:00. Me orën greke (17:00 lokale) në Place Luksemburg përpara Parlamentit Evropian, ndërsa në Romë , mitingu do të zhvillohet pranë stacionit qendror të trenit, duke filluar nga ora 16:00 Në Londër , tubimi është planifikuar të fillojë në 20:00./Protothema