Gjykata Themelore në Prishtinë i kërkon kryeministrit të Kosovës AlbinKurti të paraqitet më 4 mars për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale.
Gjykata ka miratuar kërkesën e bërë nga Prokuria Speciale më 21 shkurt, shkruan Klan Kosova.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”.
Zyra e kyeministrit Kurti, Përparim Kryeziu përmes një reagimi të gjatë ka bërë të ditur se Kurti nuk do paraqitet për të dëshmuar e nëse Prokuroria Speciale kërkon t’i marrë dëshminë duhet t’i shkojë në zyrë.
“Duke marrë parasysh rrethanat specifike të rastit dhe pozitën institucionale që ai mban, Kryeministri ka kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrat e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë në raste të ngjashme në Kosovë e edhe më gjerë. Prokuroria nuk është përgjigjur në asnjë propozim të Zyrës së Kryeministrit, rrjedhimisht nuk ka dhënë asnjë arsye pse e ka të pamundur të intervistojë Kryeministrin në datat dhe ambientin e propozuar. Kjo tregon një mungesë të qartë të vullnetit për të mundësuar një dëshmi që, sipas pretendimeve të Prokurorisë, është e domosdoshme për të kryer hetimet në çështjen në fjalë. Po të kishte vullnet për ta intervistuar Kryeministrin, intervista e tillë do të ishte kryer muaj më parë, me një prej datave të propozuara nga vetë Zyra e Kryeministrit.” – shkruan zëdhënësi i Kurtit, Përparim Kryeziu.