Kaos në FBI, Drejtori i ri Kash Patel përballet me revoltë të brendshme dhe lëvizje të kontestuara


Në ditët e tij të para si drejtor i FBI-së, Kash Patel është përballur me tensione dhe kaos të brendshëm, pjesërisht të shkaktuara nga vendimet e tij dhe të administratës Trump.

Sipas CNN, Patel ka nisur një proces të gjerë ristrukturimi, i cili ka shkaktuar përçarje të mëdha brenda agjencisë. 

Një nga veprimet më të debatuara ka qenë një plan për të shkarkuar mbi 100 punonjës të nivelit të mesëm dhe të lartë, të cilët kishin lidhje me hetimet për sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol dhe çështje të tjera që lidhen me Donald Trump.

Kjo nismë, e shtyrë nga zëvendësprokurori i përgjithshëm në detyrë Emil Bove, hasi në kundërshtim të fortë nga drejtuesit aktualë të FBI-së, përfshirë Brian Driscoll dhe Robert Kissane. 

Burime brenda FBI-së raportojnë se Bove kërkoi një listë me mbi 5,000 punonjës, shumica e të cilëve kishin punuar në çështje të ndërlidhura me Trump dhe 6 janarin.

Ky veprim shkaktoi zemërim mes ish-agjentëve që fillimisht mbështetën Patel dhe që ishin pjesë e një paneli këshillues për të ndihmuar atë të fitonte besueshmëri brenda agjencisë. 

“Ne menjëherë thamë ‘Aspak!’,” tha një ish-agjent për CNN, duke shprehur shqetësimin e tij për këtë manovër politike brenda FBI-së. 

Situata u përkeqësua edhe më shumë kur presidenti Trump vendosi të caktojë Dan Bonginon, një ish-agjent i Shërbimit Sekret dhe komentator i njohur pro-Trump, si zëvendësdrejtor të FBI-së.

Kjo lëvizje ndryshoi planet fillestare të Patel, i cili kishte premtuar të zgjidhte një zëvendës me përvojë nga radhët e FBI-së. 

Ekspertët dhe ish-zyrtarët e FBI-së kanë ngritur shqetësime serioze se këto përçarje të brendshme mund të komprometojnë sigurinë kombëtare.

Ata paralajmërojnë se grupe terroriste dhe shtete rivale si Kina, Rusia dhe Irani mund të shfrytëzojnë dobësinë e FBI-së gjatë kësaj periudhe trazirash. 

“Ka shumë mundësi që të ndodhë një ngjarje e madhe dhe të zbulojmë se në vend që të përqendroheshin në punën e tyre, agjentët po mbushnin formularë për 6 janarin,” tha një ish-zyrtar i FBI-së për CNN. 

Për më tepër, Patel është drejtori i parë i FBI-së që konfirmohet pa mbështetje bipartizane, duke e bërë sfidën e tij edhe më të vështirë për të drejtuar një nga institucionet më të fuqishme të ligjzbatimit në SHBA. 

Ndërsa FBI-ja është përfshirë në këtë betejë të brendshme, mbetet e paqartë se si Patel do të mund të rivendosë stabilitetin në një agjenci që tani është më e ndarë se kurrë.

Me një administratë të përkushtuar për të pastruar elementët që konsiderohen kundërshtarë të Trumpit dhe me një staf që i kundërvihet ndryshimeve të detyruara, sfidat për Patel vetëm sa po thellohen.