Microsoft ka vendosur të mbyllë Skype, shërbimin e njohur të video-thirrjeve online, i cili dikur ishte një nga mënyrat kryesore të komunikimit në mesin e viteve 2000.
Sipas një njoftimi të publikuar në X, Skype “nuk do të jetë më i disponueshëm” duke filluar nga maji. Microsoft ka informuar përdoruesit se mund të përdorin kredencialet e tyre të hyrjes në versionin falas të Microsoft Teams në “ditët e ardhshme”.
Vendimi për mbylljen e Skype vjen 14 vjet pas blerjes së tij nga Microsoft për 8.5 miliardë dollarë – një nga blerjet më të mëdha të kompanisë në atë kohë. Pas blerjes, Skype u integrua në produktet e Microsoft-it, si Office dhe Windows Phone.
Vitet e fundit, popullariteti i Skype ka rënë ndjeshëm, pavarësisht një rritjeje të shkurtër gjatë pandemisë. Platforma është përballur me konkurrencë të fortë nga shërbime si Zoom, Google Meet dhe Cisco WebEx, si dhe nga aplikacione të tjera si FaceTime dhe WhatsApp. Ndërkohë, Microsoft ka investuar shumë në Teams, i cili ofron funksionalitete të ngjashme.
Skype u lançua në vitin 2003 në Estoni dhe fitoi shpejt famë si një platformë që mundësonte thirrje falas në mbarë botën, në një kohë kur telefonatat ndërkombëtare ishin të kushtueshme. Në vitin 2005, eBay e bleu shërbimin për 2.6 miliardë dollarë, por bashkëpunimi nuk pati sukses. Si rezultat, në 2009-ën, eBay shiti 65% të aksioneve tek një grup investitorësh për 1.9 miliardë dollarë, përpara se Microsoft ta blinte përfundimisht në 2011.