Kryeministri Edi Rama, në rubrikën “Sy m’sy”, iu përgjigj një komenti që ngriti shqetësime për korrupsionin në spitale dhe gjendjen e tyre në përgjithësi.
Komenti denoncoi një rast të ryshfetit nga një mjek si dhe problemet me produktet e skaduara në treg.
Rama u përgjigj duke theksuar investimet në sistemin shëndetësor, duke përmendur ndërtimin e 53 spitaleve të reja dhe 400 qendrave shëndetësore.
Ai tha se Shqipëria kishte spitale të vjetra nga vitet ’60 dhe pajisje të tejkaluara, ndërsa sot situata ka ndryshuar ndjeshëm. Sakaq, Rama premtoi se dy spitale modernë do ndërtohen në mandatin e katërt qeverisës.
“Çfarë të them, si të them? Spitale ke bërë, por janë kot. Nuk e kuptoj si mund të jenë kot. 53 spitale të reja, 10 që nuk ekzistonin. 43 që u shembën përtokë dhe u ribënë nga e para me standardet më të larta europiane. E morëm detyrën në një Shqipëri me spitale që ishin ndërtuar në vitet 60-70′ dhe ishin vetëm arnuar në vitet 90-00′, një tmerr. Me shtretër lufte akoma, me batanije nga ato ushtarake, banjo me ujë rrjedhje në korridor gjithandej, ilaçe harroje, infeksionet post operatore më të larta në Europë. Autoambulanca, ndizeshin me të shtyra. Nuk po flas qendrat shëndetësore, mesjetë e thellë, katastrofë. Sot kemi 400 qendra shëndetësore të bërë nga e para, që iu shërben 1.6 milionë qytetarëve. Kemi mjekë të mirëpaguar, 140 përqind më shumë se deri dje, infermierët, me 112 përqind më shumë se sa deri dje. Paguajmë 120 milionë euro për rimbursimin e barnave. Dy spitale ultra modernë do të ndërtojmë në mandatin e katërt, në bashkëpunim me Emiratet Bashkuara dhe me strukturën më të mirë spitalore të Italisë. Nuk do të çojmë askënd jashtë për asnjë operacion të komplikuar, të vijnë këtu të kurohen edhe shqiptarët që janë jashtë. Më e mira është përpara. Shqipëria 2030 do të jetë anëtarë krenare e BE”, u shpreh Rama.