“Shqipëria ka një hapësirë të shkurtër kohore për integrimin evropian” – Rama


Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes “TEDA Tiranë” dhe kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”, duke e cilësuar këtë investim një hap të rëndësishëm për teknologjinë dhe inovacionin në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi rëndësinë e momentit historik për anëtarësimin në BE, duke paralajmëruar se ky proces po ecën me shpejtësi dhe është një mundësi që nuk duhet humbur, pasi çdo vonesë mund ta rikthejë atë në pikën zero.

 

 

“Ky është një moment historik për Shqipërinë, sepse është hapur një dritare e një mundësie që nuk vjen dy herë për t’u bërë pjesë e BE duke shfrytëzuar një hapësirë kohore tejet të shkurtër.

Shpejtësia e procesit me të cilin ne po përparojmë në këtë kornizë është më e larta ndonjëherë krahasuar me të gjitha vendet, jo sepse ne po e bëjmë shumë mirë detyrën që nuk diskutohet, por BE është e interesuar për shpejtësi. Është momenti historik i përputhjes së rrethanave tona të brendshme me ato të BE.

Janë dhe ata po kaq të dëshiruar që Shqipëria të bëhet pjesë e BE. Ne kemi detyrimin të mos e humbasim këtë mundësi.

Të mos humbasim asnjë ditë sepse nëse nuk e realizojmë këtë kapërcim epokal në këtë lloj hapësirë, dritarja mund të mbyllet dhe mund të nisë historia nga e para.
Ky është momenti kur pritshmëria shekullore e jona, për t’i përkitur asaj pjese të botës ku dielli lind atje ku perëndon, mund të bëhet realitet.

Por duhet të fokusohemi dhe të mos humbasim asnjë ditë, jo më muaj e vite të tjera. Të gjitha këto procese, janë pjesë e kësaj përpjekjeje”, u shpreh ai.