Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, zhvilloi një takim me strukturat dhe anëtarët e kësaj partie në Korçë, ku denoncoi keqqeverisjen e kryeministrit Edi Rama dhe situatën e rënduar në qytet.
Blushi deklaroi se diaspora shqiptare do të votojë masivisht më 11 maj për ndryshimin, ndërsa theksoi se fitorja e opozitës është e vetmja mënyrë për të shpëtuar Shqipërinë.
Duke folur për situatën në Korçë, ai tha se qyteti ka pësuar një tkurrje drastike të popullsisë për shkak të keqqeverisjes dhe mungesës së mundësive për të rinjtë. Blushi kritikoi investimet e qeverisë, të cilat sipas tij, kanë shërbyer vetëm për pasurimin e oligarkëve dhe për betonizimin e qytetit.
Blushi garantoi se pas 12 majit opozita do të kërkojë drejtësi për të gjitha aferat korruptive që kanë dëmtuar qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Fjala e plotë:
Është për të ardhur keq në fakt, që Korca në 12 vite, si e gjithë Shqipëria, ka njohur dhe ka ndjerë më shumë se shumë qytete të tjera në mbarë vendin pasojat e rënda të keq qeverisjes së Edi Ramës, sepse në Korçë ashtu si edhe në Tiranë po ndihen jo vetëm kostot e rënda të jetesës, jo vetëm ndihet korrupsioni i përbindshëm, por tanimë nën shembullin e krye hajdutit të Tiranës edhe Korça për fat të keq është kthyer në një simbol të betonit.
Dhe dëshmia më e qartë e kësaj janë kodrat e këtij qyteti apo Belvederja e famshme që tanimë nuk ekziston, sepse për rilindasit, për Niko Peleshin, që e filloi karrierën e tij politike me sloganin “Korça ku dua të jetoj”, në këto 12 vite e përktheu këtë slogan në ” Korçën ku dua të mashtroj dhe të vjedh nga mëngjesi deri në darkë”.
Fakti i parë edhe më tragjik i pasojave të tmerrshme që ka sjellë keqqeverisje e “Rilindjes” është tkurrja e tmerrshme e popullsisë në këtë Qark e sidomos në qytetin tonë.
Me mijëra të rinj dhe të reja që ikin cdo vit dhe për këtë dëshmia më e qartë është universiteti “Fan Noli” që sot vuan për studentë, janë shkollat e mesme, janë shkollat fillore pa nxënës dhe pa fëmijë.
Për fat të keq, Korça ashtu si Tirana, është sot një ndër qytetet më të ndotura në Shqipëri dhe ku cdo investim ka patur dhe ka një prapavijë të tmerrshme korrupsioni.
U investua në fakt tek parku “Rinia” i këtij qyteti, por sigurisht që ky investim shkoi për llogari të “Belvederes” së oligarkëve.
U investua te Pazari i Ri i Korçës, por sot treçereku i këtij simboli të këtij qyteti është mbushur me bujtina dhe ku vetëm të afërmit e Niko Peleshit kane të drejtë të bejne biznes, madje edhe të bllokojnë rrugët e Pazarit të Korçës.
U ndërtua Pedonalja më e shëmtuar që është ndërtuar ndonjëherë në këtë qytet, janë ngushtuar rrugët, bulevardet dhe kemi një simbol të tmerrshëm të korrupsionit, ashtu si dhe në Tiranë “Kullën” e Nikos 2.3 milionë euro që sot është vetëm një kullë turpi dhe kulla në të cilën në 12 Maj në do të afishojmë të gjitha krimet që kjo bandë i ka bërë këtij qyteti.
E zhvillojmë sot këtë aktivitet në një ambient që gjithashtu dikur ka qenë një simbol, kinemanë “Majestik” të Korçës, kinema e cila sot nuk ekziston, sikundër janë shkatërruar edhe të gjitha zonat muzeale për të mbërritur deri tek i ashtuquajturi “Poli i Dijes”, që në fakt nuk është asgjë tjetër veçse një vepër ku do të pastrohen paratë e pista të krimit dhe të korrupsionit.
Në Korçë si në të gjithë Shqipërinë, mijëra familje të varfra, nuk përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike.
Sistemi i ndihmës në këtë bashki është i dështuar për aq kohë sa po përjashton dhe vijon të përjashtojë qindra e mijëra familje në varferi ekstreme dhe po përfshin vetëm ato familje që për “Rilindjen ” janë kthyer vetëm si vota dhe si numura.
Ndihma ekonomike nuk është vetëm një tregues i faktit që për këtë Qeveri dhe për këtë Pushtet Vendor të inkriminuar, vëmendja ndaj qytetarëve është 0, jo, ka edhe plot arsye të tjera pse ky Institucion sot nuk është gjë tjetër, se bashku me të gjithë institucionet e tjera, por një metastazë e korrupsionit të kësaj Qeverie të shtrirë në të gjitha nivelet e institucioneve vendore dhe fakt për këtë është aferra e inceneratorëve.
Shume prej jush do të pyesin se çfarë e lidh Korçën me inceneratorët që nuk ekzistojnë?
Në fakt cdo qytetar korçar duhet ta dijë se rreth 20 milionë euro kanë gllabëruar kompanitë e inceneratorëve të lidhur me Niko Peleshin në Korçe dhe dëshmi për këtë është ujësjellësi apo simboli më i korruptuar i këtij qyteti ku cdo matës uji në shtëpitë tuaja është blerë prej jo më pak se 20 euro në Kinë, por që Petrit Tare ja u ka shitur për 20 euro copën, sepse është kjo kompani e lidhur drejtpërdrejt me inceneratorët që po gllabëron edhe taksat tuaja.
Dhe ne prandaj cdo ditë kërkojmë drejtësi për aferën e inceneratorëve, sepse jo vetëm Tirana, Elbasani dhe Fieri, por të gjithë shqiptarët janë të vjedhur nga kjo skemë që ka vetëm një drejtues dhe vetëm një përfitues dhe ai është Edi Rama.
Ndaj mos u habisni kur shikoni fotot e ish- deputetit tuaj, Niko Peleshi me drejtuesit e kësaj afere, ai është palë me ta edhe pse është i amnistuar nga SPAK.
Sot për fat të keq, ky Qark, ka një deputet që i ka patur pozicionet më të larta në Qeveri dhe përfitimet e vetme, që në fakt janë tragjeditë që i ka sjellë jo vetëm banorëve të Korçës, por të gjithë Shqipërisë, është mega afera e SilikonMix, sepse falë këtij Ministri Bujqësie, sot po vdesin shqiptarët nga kanceri.
Sepse është ky Ministër Bujqësie, i cili lejoi që helmet të hyjnë jo vetëm ne fruta dhe perime, por dhe në tavolinat e cdo qytetari korcar dhe të cdo shqiptari.
Afera e SilikonMix, është guri që e ka lidhur për fyti Niko Peleshin, por për të cilin pas 12 Majit ai do të mbajë përgjegjësi, jo vetëm për dëmet që i ka shkaktuar fermerit shqiptar, por edhe për mijëra jetë të cilat i ka marrë më qafë vetëm për të mbushur xhepat e tij.