Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot për herë të dytë akuzave të opozitës mbi largimin nga vendi të sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.
Rama sqaroi se Agaçi ndodhet në Itali për arsye shëndetësore, ku iu nënshtrua një operacioni të rëndë me tre bypass për shkak të problemeve me zemrën dhe ndalesës së funksionit të mushkërive.
Ai shtoi se drejtësia është e pavarur dhe se qeveria nuk ka ndërhyrë në proceset hetimore, duke përmendur rastet e ish-ministrave dhe kryebashkiakëve të dënuar ose në hetim.
“Sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë niset për një shkak thelbësor shëndetësor në Itali. E marin e fusin në sallë të operacionit bën 3 bypass për shkak të bllokimit të koronareve dhe rrezikut imediat për jetën.
Pas një operacioni shumë të rëndë kalon në ndalesë të funksionit të mushkërive. E fusin në frymëmarrje të drejtuar. Ditë të tëra nuk thoshte asnjë mjek që ky do të kthehet prapë.
Mund të ndodhte hataja nga momenti në moment. Ku të dijë kjo kënetë e madhe për njeriun e respektin e një njeriu të sëmurë.
Tani që flasim vijon të rekuperojë mushkëritë që janë rënduar rëndë nga ndalesa. Kuptoni se çfarë ndodh. Luli iku por aritmetikën e la prapa.
Kemi pasur 60 ministra, dy ministra të aleatit të parë janë dënuar. Një tjetër në paraburgim akoma e nuk po bëj komente e një i arratisur nga Shqipëria. Ka dhe kryebashkiak e deputet por çfarë do të thotë kjo? I kemi dhënë drejtësisë pavarësinë” tha Rama.