Rama shkon në Athinë për t’i ofruar emigrantëve punë në Shqipëri


Gjatë rrugës drejt Greqisë, Kryeministri Edi Rama ndau një mesazh për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë atje. Ai theksoi se për herë të parë Shqipëria po shkon drejt emigrantëve me një ofertë konkrete pune dhe investimesh në vendlindje.

Rama theksoi se panairi i punës që do të mbahet në Athinë do të jetë një mundësi e re për shqiptarët e Greqisë që dëshirojnë të rikthehen në atdhe me kushte të përmirësuara.

“Dikur shqiptarët e Greqisë shkonin për të gjetur punë matanë kufirit, ndërsa nesër Shqipëria sipërmarrëse do të shkojë tek ata për t’u treguar punët që mund të gjejnë këtej kufirit,” deklaroi Rama.

Ai e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për të afruar shqiptarët e diasporës me tregun e punës në Shqipëri, duke garantuar paga të arsyeshme, taksa më të ulëta dhe një ambient më të favorshëm për jetesë.

“Ejani, kam punë për ju me paga të arsyeshme, me taksa shumë më të ulëta dhe me të gjitha aromat e vendit amë që aq shumë mungojnë kur je jashtë,” vijoi ai, duke u bërë thirrje emigrantëve të marrin kohën e duhur për të vlerësuar mundësitë e reja.

Ramës shtoi se procesi i integrimit evropian, që sipas tij ka hyrë në një fazë vendimtare. Ai nënvizoi se për herë të parë ekziston një dakordësi mes Shqipërisë dhe BE-së për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.

Është për herë të parë që mundësia e hyrjes në Bashkimin Evropian është kaq reale sa dritarja e hapur duket me sy,” tha ai.

Rama theksoi se kjo nuk varet vetëm nga përpjekjet e Shqipërisë, por edhe nga vullneti i Bashkimit Evropian për ta përfshirë vendin tonë në familjen e tij.

Sipas kryeministrit, ky moment historik për Shqipërinë është një arritje e jashtëzakonshme dhe një përgjigje për të gjitha sfidat dhe pengesat e së shkuarës.

Rama e cilësoi anëtarësimin në BE si një nga ngjarjet më të mëdha për shqiptarët, duke e krahasuar me shpalljen e pavarësisë në 1912.

Kjo është ngritja e dytë e flamurit kombëtar pas asaj të pavarësisë në 1912. Kjo është shpallja e Shqipërisë shtet anëtar i barabartë i familjes së bashkuar evropiane,” deklaroi ai.

Ai e përshkroi këtë si një “hakmarrje të ëmbël” për shqiptarët, të cilët për shekuj kanë ëndërruar të jenë pjesë e Evropës së bashkuar, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë përbuzjeve dhe sfidave historike.

Në përfundim të deklaratës së tij, Rama u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, si në Greqi ashtu edhe në mbarë Evropën, të lënë pas ndasitë dhe të bashkohen për të bërë Shqipërinë një histori suksesi në Bashkimin Evropian.

Le të harrojmë të gjitha historitë dhe bla bla bla-të e të sotmes, ndasitë dhe partitë dhe le të kapemi dorë për dore e të bëhemi ylli i ri i Evropës së bashkuar,” u shpreh ai.

Rama tha se 11 maji do të jetë një moment kyç, ku shqiptarët do të tregojnë forcën e tyre si pjesë e ëndrrës evropiane. Ai premtoi se qeveria do të vazhdojë të punojë për të sjellë atë ditë të shumëpritur kur Shqipëria do të jetë anëtare e plotë e BE-së.