SPAK e Policia e Shtetit operacion në disa qytete për goditjen e grupeve kriminale, arrestohet 3 policë e shpallet në kërkim një tjetër


Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit kanë realizuar operacion të gjerë raportohet se kanë goditur grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës.

Gjatë operacionit, janë lëshuar rreth 10 masa sigurie të firmosura nga GJKKO, pas kërkesës së SPAK.

Operacioni është shtrirë në  disa qytete të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Kukësin, Fierin, Vlorën, Gjirokastrën dhe Sarandën.

Sipas raporton BW, 4 nga masat e sigurisë janë për oficerë të policisë. Janë arrestuar 3 efektivë policie, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim. Një prej të arrestuarve është Shkëlzen Ruska, shef i krimeve në Himarë, i cili akuzohet për kultivim kanabisi, pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar, shpërdorim detyre dhe veprime të tjera të kryera nga organizata kriminale.

Po ashtu, është arrestuar edhe Ervis Alisinanaj, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes, i cili përballet me akuzat e të njëjtave vepra penale, si dhe për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të tjerë publikë.

Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dërvishi, është shpallur në kërkim dhe akuzohet për “trafikim narkotikësh”, “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Shpërdorim detyre”.

Erdit Hazizaj është i katërti person i arrestuar, i cili ishte larguar nga policia në vitin 2022. Ai akuzohet për trafik droge, kultivim bimësh narkotike, dhe përfshirje në grupe kriminale.

Hetimet e SPAK kanë nisur prej kohësh për këta efektivë, pasi janë zbuluar lidhjet e tyre me bandat kriminale nëpërmjet aplikacioneve të koduara si Sky Ecc, ku rezulton se ata ishin të përfshirë në veprimtari kriminale që lidhen me narkotikët dhe më gjerë.