Aleat i Putinit shtyn përpara një marrëveshje për rinisjen e Nord Stream 2 me mbështetje nga SHBA


Nga Max Seddon, Henry Foy dhe Felicia Schwartz

Një ish-agjent sekret dhe mik i ngushtë i Vladimir Putinit po punon për të ringjallur gazsjellësin Nord Stream 2, këtë herë me mbështetjen e investitorëve amerikanë një lëvizje dikur e paimagjinueshme, që sot pasqyron shtrirjen e përpjekjeve të Donald Trump për të rivendosur marrëdhëniet me Moskën.

Arkitekti i kësaj skeme, sipas disa burimeve me dijeni mbi bisedimet, është Matthias Warnig, ish-oficer i Stasit në Gjermaninë Lindore, i cili drejtoi kompaninë mëmë të Nord Stream 2 deri në vitin 2023 në emër të gjigantit shtetëror rus të gazit, Gazprom.

Plani i Warnig ka përfshirë kontakte me rrethin e ngushtë të Trump përmes biznesmenëve amerikanë, sipas burimeve, si pjesë e një përpjekjeje sekrete për të ndërmjetësuar fundin e luftës në Ukrainë dhe për të thelluar lidhjet ekonomike mes SHBA dhe Rusisë.

Disa figura të njohura nga administrata Trump janë në dijeni të kësaj nisme për përfshirjen e investitorëve amerikanë, sipas zyrtarëve në Uashington, të cilët e shohin si pjesë të përpjekjeve për të rindërtuar marrëdhëniet me Kremlinin.

 Ndërsa ka pasur disa shprehje interesi, një konsorcium investitorësh të udhëhequr nga SHBA ka hartuar një draft-marrëveshje me Gazprom për periudhën pas sanksioneve, sipas një burimi të drejtpërdrejtë me njohuri mbi bisedimet, i cili refuzoi të zbulojë identitetin e investitorëve të përfshirë.

Zyrtarë të lartë të BE-së janë vënë në dijeni për këto zhvillime gjatë javëve të fundit, duke alarmuar disa kryeqytete europiane.

Liderët e disa vendeve europiane kanë diskutuar mbi çështjen, sipas disa zyrtarëve me njohuri mbi këto biseda.

Një nga dy tubacionet e Nord Stream 2 u shkatërrua në sulmet sabotazhi të shtatorit 2022, që hodhën në erë edhe të dy tubacionet e projektit të mëparshëm, Nord Stream 1.

 Tubacioni tjetër i Nord Stream 2, me një kapacitet vjetor prej 27.5 miliardë metra kub gaz, mbetet i paprekur, por asnjëherë nuk është vënë në funksion.

Plani i ri, në teori, do t’i jepte SHBA-së ndikim të pashembullt mbi furnizimin energjetik të Europës, sipas burimeve, pas përpjekjeve të vendeve të BE-së për t’u shkëputur nga varësia ndaj gazit rus pas pushtimit të Ukrainës.

Por pengesat janë të mëdha: do të duhej që SHBA të hiqte sanksionet kundër Rusisë, Rusia të pranonte rifillimin e shitjeve që ndërpreu gjatë luftës, dhe Gjermania të lejonte rrjedhjen e gazit drejt blerësve potencialë në Europë.

“SHBA do të thoshte: ‘Tani Rusia do të jetë e besueshme sepse amerikanët e besuar janë në mes’,” tha një ish-zyrtar i lartë amerikan, i njohur me disa nga këto përpjekje. Investitorët amerikanë, shtoi ai, do të mblidhnin “para për hiçgjë”.

Këto bisedime po zhvillohen ndërkohë që ekipi i Trump po nxitohet të arrijë një marrëveshje paqeje përmes negociatave dypalëshe me Rusinë, duke anashkaluar Europën dhe Ukrainën, një zhvillim që ka tronditur kryeqytetet europiane, ku frikësohen se një afrimitet mes SHBA dhe Moskës mund të rrezikojë kontinentin.

Trump ka premtuar bashkëpunim më të thellë ekonomik me Rusinë, nëse arrihet një marrëveshje paqeje.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka vënë në dukje përfitimet ekonomike që, sipas tij, SHBA mund të sigurojë nga një bashkëpunim me Kremlinin nëse arrihet një zgjidhje në Ukrainë, duke pohuar se “disa kompani” tashmë kanë nisur kontakte për marrëveshje të mundshme.

Nord Stream 2 AG, kompania mëmë e gazsjellësit e regjistruar në Zvicër, mori në janar një shtyrje të jashtëzakonshme të procedurave të falimentimit me të paktën katër muaj.

 Sipas një dokumenti gjyqësor të redaktuar, aksioneri i Nord Stream 2, Gazprom, argumentoi se administrata e re Trump, si dhe zgjedhjet gjermane të shkurtit 2025, “mund të kenë pasoja të rëndësishme mbi rrethanat e Nord Stream 2”, duke justifikuar kështu vonesën. Parashtrimi i Gazprom bënte referencë edhe tek “çështjet komplekse gjeopolitike” dhe regjimi i sanksioneve.

Matthias Warnig i tha Financial Times se ai “nuk është i përfshirë në asnjë diskutim me politikanë apo përfaqësues biznesi amerikanë”, duke shtuar se ai “po ndjek rregullat [si person nën sanksione amerikane]”.

Dmitry Peskov, zëdhënësi i Putinit, tha se nuk ka informacion mbi bisedime lidhur me gazsjellësin.

Gazprom refuzoi të komentojë. Një avokat që përfaqëson Nord Stream 2 në procedurat e falimentimit në Zvicër dhe administratori i emëruar nga gjykata për kreditorët e Nord Stream 2 nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga FT.

Warnig, 69 vjeç, ka thënë se është bërë mik i ngushtë me Putinin në vitet 1990 pasi hapi një zyrë të bankës gjermane Dresdner Bank në Shën Petersburg, ku Putini i panjohur në atë kohë drejtonte komitetin për marrëdhëniet e jashtme të qytetit.

Miqësia e tyre u bë aq e afërt sa që Putini i kërkoi Warnigut t’i strehojë vajzat e tij në shtëpinë e tij në Rödermark kur nëna e tyre pësoi një aksident të rëndë automobilistik. Putini, që flet rrjedhshëm gjermanisht, u mësoi skijim fëmijëve të Warnigut në Davos dhe e ftoi atë në funeralin e babait të tij, sipas një interviste që ish-oficeri i Stasit dha për Die Zeit në 2023.

Por Warnig e quajti pushtimin e Ukrainës një “gabim të papërshkrueshëm” dhe dha dorëheqjen nga bordet e dy kompanive energjetike të kontrolluara nga Kremlini pas fillimit të luftës në 2022.

Ai i tha Die Zeit se i kishte bërë një apel personal Putinit për t’i dhënë fund pushtimit disa muaj pas nisjes, duke shtuar se Putini është aq i izoluar sa “njeriu i vetëm që mund t’i thotë ende diçka jam unë”.

Warnig u largua nga Nord Stream 2 AG, kompania e kontrolluar nga Rusia që menaxhon gazsjellësin, në vitin 2023, por i tha Die Zeit se drejtori ekzekutiv i Gazprom, Alexei Miller, i kishte garantuar mbulimin e kostove të kompanisë, me shpresën për të shpëtuar ç’të mundej.

Administrata e Joe Biden vendosi sanksione ndaj Warnig dhe Nord Stream 2 AG në vitin 2022.

Zyrtarët e administratës Biden shfaqën pak interes për një propozim nga biznesmeni amerikan Stephen Lynch vitin e kaluar për të blerë Nord Stream 2. Që nga ajo kohë, janë shfaqur investitorë të tjerë të mundshëm.

Një person me njohuri të drejtpërdrejtë mbi bisedimet e Gazprom tha se bisedimet më të avancuara janë me një konsorcium tjetër të udhëhequr nga amerikanët, jo me Lynch. Lynch refuzoi të komentojë kur u kontaktua nga FT.

Ai ka aplikuar për një licencë nga Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja në Departamentin e Thesarit të SHBA për propozimin e Nord Stream.

Më parë, ai kishte marrë një licencë për të bërë ofertë për degën zvicerane të bankës së sanksionuar ruse Sberbank në vitin 2022.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump ishte një kritik i zëshëm i gazsjellësit Nord Stream 2. Projekti është kthyer në simbol për ata që fajësonin Gjermaninë dhe me këtë edhe Europën, për mbështetjen e tepërt te gazi rus, duke ndihmuar kështu financimin e makinerisë ushtarake të Moskës.

 Por disa anëtarë të ekipit të Trump tani e shohin gazsjellësin, që lidh Vyborgun rus në Gjirin e Finlandës me Greifswald në bregdetin gjerman të Baltikut, si një aset strategjik që mund të përdoret si mjet ndikimi në bisedimet e paqes për Ukrainën, sipas zyrtarëve të administratës.

Struktura komplekse e pronësisë së Nord Stream 2 përbën pengesë serioze për çdo investim të mundshëm. Gazsjellësi është 100% në pronësi të Gazprom, por pesë kompani europiane të energjisë, Shell, Uniper, OMV, Engie dhe Wintershall, siguruan gjysmën e kostos së ndërtimit prej 11 miliardë dollarësh përmes kredive.

Të pesta kompanitë europiane i kanë hequr nga bilancet këto kredi. Në vitin 2022, qeveria gjermane pezulloi procesin e licencimit të Nord Stream 2 dhe kurrë nuk lëshoi dokumentet e nevojshme për vënien në funksion.

Në teori, marrja e kontrollit mbi gazsjellësin do t’u jepte investitorëve amerikanë një mjet të fuqishëm për të kontrolluar rrjedhën e gazit rus drejt Europës, një treg kyç për gazin e lëngshëm amerikan (LNG) që transportohet me cisterna përtej Atlantikut.

 Por ish-zyrtarë të lartë amerikanë dhe biznesmenë perëndimorë me përvojë në Rusi thonë se vetëm miratimi nga Trump dhe Putin nuk mjafton për ta rikthyer Nord Stream 2 në funksion.

“Nuk e imagjinoj asnjë bord korporate amerikane që thotë, ‘Le të futemi përsëri në tregun rus’ në këtë moment, dhe rusët e dinë këtë, ata i kanë parë këto luhatje të politikës amerikane,” tha një ish-zyrtar i lartë amerikan.

Europa ende ka sanksione në fuqi dhe kthimi i Gjermanisë tek Nord Stream do të shkaktonte përçarje masive. Diçka e tillë është ende larg.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times