Evropa kërkon të marrë kontrollin e negociatave për Ukrainën pas vizitës së tensionuar të Zelensky-t në SHBA 


Kryeministri britanik, Keir Starmer, po përpiqet të marrë në dorë negociatat për luftën në Ukrainë, duke e zhvendosur qendrën e diplomacisë nga Shtetet e Bashkuara drejt Evropës.

Të dielën, ai priti në Londër dhjetëra liderë evropianë në një samit që synon të përcaktojë një rrugë të re drejt paqes. 

Samiti po mbahet në Lancaster House, në një moment kur konflikti në Ukrainë është në një fazë kritike.

Starmer dhe liderët evropianë po kërkojnë të rigjallërojnë përpjekjet për një marrëveshje paqeje, pas një takimi të tensionuar mes Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë, një përballje që tronditi Perëndimin dhe gëzoi Moskën. 

Në një intervistë për BBC, Starmer deklaroi se Britania do të punojë me Francën dhe “ndoshta një ose dy vende të tjera” për të krijuar një plan për ndalimin e luftimeve në Ukrainë dhe më pas ta diskutojë atë me SHBA-në, përcjell CNN.

Starmer gave Zelensky a friendly welcome on Saturday.

Ky proces shihet si një alternativë ndaj negociatave që administrata e Trump ka nisur me Rusinë muajin e kaluar. 

Duke qenë se takimi i fundit mes Trump dhe Zelensky-t u shoqërua me tensione të ashpra, liderët evropianë po synojnë të shmangin një përplasje të re mes tyre, e cila mund të dëmtonte procesin e paqes. 

Pavarësisht tensioneve, Zelensky u prit ngrohtësisht nga Starmer në Londër, në një atmosferë krejt ndryshe nga ajo që ai përjetoi në Uashington.

Mbreti i Anglisë gjithashtu pranoi të takohej me të, ndërsa qytetarët britanikë e pritën me brohoritje në rrugët e Westminsterit. 

Në aspektin financiar, Ukraina do të përfitojë nga një marrëveshje e re e nënshkruar të shtunën mes Starmer dhe Zelensky-t, e cila përshpejton lëvrimin e 2.8 miliardë dollarëve në kredi për Ukrainën.

Këto fonde do të përdoren për prodhimin e armëve brenda vendit, sipas një deklarate të Zelensky-t në Telegram: “Kjo është mënyra e drejtë: ai që e nisi luftën duhet të paguajë.” 

Incidenti i fundit mes Trump dhe Zelensky-t ka shtuar ndjeshëm shqetësimet në Evropë, duke e bërë këtë samit edhe më të rëndësishëm.

 Starmer tha për BBC se ai “telefonoi menjëherë liderët evropianë” pas debatit të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë dhe po përpiqet të gjejë një rrugë për të ribashkuar aleatët perëndimorë. 

Përpara takimit, Starmer deklaroi se ky është një “moment vendimtar për sigurinë e Evropës” dhe se takimi do të fokusohet në tre çështje kryesore: 

  1. Nevojat afatshkurtra të Ukrainës.
  2. Sigurimin e një “marrëveshjeje të qëndrueshme” për përfundimin e konfliktit.
  3. Planifikimin për garancitë e sigurisë afatgjata.

Duke iu drejtuar liderëve të pranishëm, ai tha:

Shpresoj që e dini se jemi të gjithë me ju dhe me popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme.”