Gjykatësi amerikan shpall të paligjshme shkarkimin e kreut të Agjencisë së Mbikëqyrjes nga Trump 


Një gjykatës federal në SHBA ka shpallur të paligjshëm shkarkimin nga Presidenti Donald Trump të kreut të një agjencie federale të mbikëqyrjes, në një rast që mund të përcaktojë kufijtë e fuqisë presidenciale dhe që pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë e SHBA-së. 

Gjykatësja e Distriktit të Kolumbias, Amy Berman Jackson, vendosi që shkarkimi i Hampton Dellinger, kreut të Zyrës së Këshilltarit Special (Office of Special Counsel – OSC), e cila ka për detyrë mbrojtjen e sinjalizuesve të shkeljeve ligjore, ishte i paligjshëm. 

Jackson kishte pezulluar më parë largimin e Dellinger-it nga detyra, duke lejuar që ai të qëndronte në postin e tij deri në një vendim përfundimtar.

Në vendimin e saj të së shtunës, ajo argumentoi se lejimi i Trump-it të shkarkonte Dellinger-in do t’i jepte presidentit “një licencë kushtetuese për të frikësuar zyrtarët e ekzekutivit që të vepronin sipas vullnetit të tij.” 

Departamenti i Drejtësisë paraqiti një apel kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Distriktit të Kolumbias të shtunën vonë. 

Dellinger, i emëruar nga ish-Presidenti Joe Biden dhe i konfirmuar nga Senati për një mandat pesëvjeçar vitin e kaluar, tha për agjencinë Reuters se ishte “mirënjohës që gjykata konfirmoi rëndësinë dhe ligjshmërinë e mbrojtjeve të punës që Kongresi ka parashikuar për këtë pozitë.” 

Ai shtoi se përpjekjet e tij për të mbrojtur punonjësit federalë dhe sinjalizuesit nga trajtimet e paligjshme do të vazhdojnë. 

Administrata Trump kishte argumentuar se urdhri për ta mbajtur Dellinger-in në detyrë ishte një ndërhyrje në autoritetin e presidentit mbi zyrtarët e administratës së tij.

Megjithatë, Jackson hodhi poshtë pretendimin se statuti që mbron pozicionin e tij është jokushtetues, duke theksuar se OSC ka për detyrë të shqyrtojë praktikat joetike apo të paligjshme ndaj nëpunësve civilë federalë dhe të mbrojë sinjalizuesit nga hakmarrja. 

“Do të ishte ironike, për të mos thënë kundër frymës së ligjit, që vetë Këshilltari Special të pengohej në punën e tij nga frika e një shkarkimi arbitrar apo të motivuar politikisht,” shkroi Jackson në vendimin e saj. 

Trump ka synuar të kufizojë pavarësinë e agjencive federale si Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (SEC) dhe Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC).

 Një vendim përfundimtar në rastin e Dellinger-it mund të ndikojë në përcaktimin e kompetencave presidenciale për të kontrolluar këto agjenci. 

Jackson theksoi se vendimi i saj ishte “jashtëzakonisht i ngushtë” dhe nuk zvogëlonte fuqitë e Trump-it në përgjithësi.

Kjo është e vetmja agjenci me një drejtues të vetëm që gjykatat po shqyrtojnë dhe ajo është ndryshe nga të gjitha të tjerat,” shtoi ajo. 

Prokurorja e Përgjithshme në detyrë, Sarah Harris, argumentoi më herët se qëndrimi i Dellinger-it në detyrë po dëmtonte administratën Trump, duke përmendur një rast konkret: ndërhyrjen e tij të martën për të ndaluar shkarkimin e gjashtë punonjësve të qeverisë që administrata kishte planifikuar të largonte. 

Rasti pritet të shkojë në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, e cila ka vonuar dhënien e një vendimi përfundimtar mbi këtë çështje.

Ky vendim mund të ketë ndikim të rëndësishëm në përcaktimin e kufijve të autoritetit presidencial mbi agjencitë federale dhe pavarësinë e mbikëqyrësve qeveritarë.