“Kemi treg pune konkurrues me Greqinë, kthehuni të punoni në Shqipëri” – Rama thirrje emigrantëve


Kryeministri Rama ishte sot në kryeqytetin grek Athinë në panairin e punës, ku 120 biznese shqiptare kanë ngritur stendat duke ofruar vende pune në sektorë të ndryshëm.

Ai tha se Shqipëria ka një treg pune që tashmë mund të konkurrojë me Greqinë dhe u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë që të kthehen e të punojnë në vendin e tyre.

“Me krenari mund të themi që në Shqipëri kemi një treg pune dhe kemi sektorë që  janë konkurrues me Greqinë. Nuk ka pagë nën 1200 euro për shoferë dhe për shoferë të mjeteve më të rënda paga shkon 2000 e 2500 euro. Kanë kontratat gati për t’i marrë, për t’i nënshkruar. Greqinë këtu e keni, po provojeni njëherë dhe ndryshe, them unë. “Kur dera të mbyllet dhe të fillojë historia nga e para, ne të jemi të barabartë, anëtarë, me të drejta të njëjta në Bashkimin Europian dhe të ulemi siç uleni ju, siç uleni ju sot, në të njëjtën tryezë me fqinjët grekë. E nuk ju shohin dot më nga lart-poshtë, e nuk ju thonë më me ironi ‘alvanos’, por përkundrazi, të ulemi dhe ne, në të njëjtën tryezë më Greqinë, krah për krah, si dy vende fqinje, si dy vende partnere, si dy vende të barabarta, jo vetëm me zakon, por edhe me ligj.” – tha Rama.