Pas dy orësh diskutimesh ka përfunduar samiti i lidërve të BE-së për Kievin në Londër.
Udhëheqësit europianë po përballen me “një moment unik për sigurinë e Evropës”, tha kryeministri britanik Keir Starmer në hapjen e samitit në Lancaster House, kurse Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen u shpreh se duhet urgjentisht “të riarmatosim Europën” dhe komisioni do të propozojë një plan për këtë në Këshillin Europian më 6 mars.
Në fund të samitit, Starmer lexoi edhe vendimet e marra nga Samiti, ku bie në sy ndihma shtesë me 1,6 mld paund nga Britania për Ukrainën, përveç kredisë 2,2 mld, sipas The Guardian.
Kjo ndihmë do jepet për blerjen e 5 mijë raketave të reja për mbrojtjen ajrore të Ukrainës nga agresioni rus.
“Do të dyfishojmë mbështetjen për Ukrainën. Do jepen edh 1,6 mld paund ndihmë ekonomike për blerjen e 5 mijë raketa për mbrojtjen ajrore. Do këmbëngulim që Ukraina të jetë në tryezë për çdo bisedim që do bëhet. Ramë dakord edhe që të rrisim presionin ekonomik ndaj Rusisë”, tha kryeministri britanik.