S’ndalen protestat kundër Vuçiçit në Serbi


Dhjetëra mijëra njerëz u dyndën në qytetin jugor të Nishit të shtunën për të përkujtuar viktimat e katastrofës së stacionit hekurudhor dhe për të marrë pjesë në një protestë të udhëhequr nga studentët që është bërë kërcënimi më i madh për kontrollin e pushtetit nga presidenti serb Vuçiç, raporton Reuters.

Demonstratat masive kanë marrë vrull në katër muajt që kur 15 persona u vranë pasi një çati u shemb në një stacion treni të sapo rinovuar në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë.

Shumë serbë fajësojnë për shembjen korrupsionin që ata e lidhin me dekadën e presidentit Aleksandër Vuçiç në pushtet dhe mësuesit, fermerët dhe punëtorët e tjerë i janë bashkuar protestave që filluan me bllokimin e studentëve të klasave në universitete në dhjetor.

Qeveria e Vuçiçit ka thënë se do nisë një fushatë kundër korrupsionit dhe ka mohuar akuzat për korrupsion.

“Kjo është mënyra për të bërë një revolucion,” tha Tarek, një dizajner grafik 22-vjeçar nga qyteti i Novi Pazarit.

“Është rruga e duhur për të arritur ndryshimin, për të krijuar një të ardhme më të mirë, një shtet funksional pa korrupsion”.

Prokurorët kanë akuzuar 13 persona në lidhje me shembjen e çatisë.

Por studentët kanë vijuar protestat e përditshme, duke kërkuar që autoritetet të publikojnë dokumente në lidhje me shembjen e çatisë së stacionit dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Ata kërkojnë gjithashtu heqjen e akuzave ndaj studentëve protestues dhe rritjen e buxhetit për arsimin e lartë.

Për të rritur mbështetjen, Vuçiç vizitoi Serbinë lindore, duke takuar fermerë dhe qytetarë.

“Nuk do të ketë revolucion,” tha Vuçiç në qytetin lindor të Majdanpek të shtunën.

Të premten, zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin akuzoi shërbimet e inteligjencës perëndimore për përpjekje për të organizuar një “revolucion me ngjyra” në Serbi – një referencë për kryengritjet popullore të përjetuara nga ish-shtetet sovjetike.