GJKKO lë në burg Klajdi Merkajn, akuzohet se pastronte paratë e bandës “Çopja”


Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë për Klajdi Merkajn, duke vendosur që ai të qëndrojë në burg. 35-vjeçari akuzohet për pastrim parash në favor të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja dhe u arrestua në Romë më 16 tetor 2024, pas një kërkimi ndërkombëtar.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Bib Ndreca, i cili konfirmoi masën e “arrestit në burg” për Merkajn, ndërsa shpenzimet gjyqësore i ngarkohen atij. Ai ka të drejtën e ankimimit brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Njoftimi i GJKKO:

Kërkuesi Klajdi Merkaj me datë 10.01.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimi i masës së sigurimit”, baza ligjore neni 260 e në vijim të K.Pr.Penale.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, bazuar në nenet 228, 229, 230 dhe 238 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 46, datë 03.03.2025 vendosi:

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Klajdi Merkaj, vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, dhënë sipas vendimit nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve, nga e nesërmja e komunikimit të vendimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.