Tarifat e reja prej 25% të presidentit amerikan Donald Trump për importet nga Meksika dhe Kanadaja hynë në fuqi të martën, së bashku me një dyfishim të tarifave për mallrat kineze në 20%, duke nisur konflikte të reja tregtare me tre partnerët kryesorë tregtarë të SHBA, shkruan Reuters.
Veprimet tarifore, të cilat mund të përmbysin afro 2.2 trilionë dollarë në tregtinë vjetore të dyanshme të SHBA-së, nisën në orën 00:01 të mëngjesit, disa orë pasi Trump deklaroi se të tre vendet kishin dështuar të bënin mjaftueshëm për të frenuar rrjedhën e opioidit vdekjeprurës fentanil dhe kimikateve të tij pararendëse në SHBA.
Kina u përgjigj menjëherë, duke njoftuar tarifa shtesë prej 10%-15% për disa importe të SHBA-së nga 10 marsi dhe një sërë kufizimesh të reja eksporti për entitetet e caktuara amerikane.
Kanadaja dhe Meksika, të cilat kanë gëzuar një marrëdhënie tregtare praktikisht pa tarifa me SHBA-në për tre dekada, janë shprehur të gatshme të hakmerren menjëherë kundër aleatit të tyre.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se Otava do përgjigjet me tarifa të menjëhershme prej 25% për 30 miliardë dollarë importe të SHBA-së dhe 125 miliardë dollarë të tjera nëse tarifat e Trump do ishin ende në fuqi pas 21 ditësh. Ai tha më parë se Kanadaja do synonte birrën amerikane, verën, uiskin, pajisjet shtëpiake dhe lëngun e portokallit.
“Tarifat do prishin një marrëdhënie tregtare tepër të suksesshme”, tha Trudeau, duke shtuar se ato do shkelnin marrëveshjen e tregtisë së lirë SHBA-Meksikë-Kanada të nënshkruar nga Trump gjatë mandatit të tij të parë.
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum pritej të njoftonte përgjigjen e saj gjatë një konference për shtyp në mëngjes në Mexico City të martën, tha Ministria e Ekonomisë e vendit.